Disa përgjigje rresht "s'e mbaj mend" nga i penduari Erion Alibej ngjallën nervozizëm tek i pandehur Xhuliano Hoxha gjatë procesit “Plumbi i Artë”.
Teksa po e pyeste për një vajzë, Megi K., ish e dashur e Alibejt Hoxha "shpërtheu": O Erjon, po kujtoje një gjë se më plase shpirtin!
Pasi nuk mori asnja reagim nga i penduari, i pandehuri Hoxha vijoi: Pishmani im në jetë është që s'të vrava ty me dorën time.
Pyetjes së Hoxhës se nëse kishte dashur ta vriste shtetasen Megi K., Alibej i tha të pyeste Suel Çelën.
"E ke në Peqin Suel Çelën", tha Alibej, duke i kërkuar ndjesë avokatit Sokol Hazizaj, që mbron Çelën në një tjetër proces.
I pyetur nëse do të bashkëpunonte sërish sot me Xhuliano Hoxhën dhe Nuredin Dumanin për të vrarë Talo Çelën, Alibej tha: "Edhe me djallin për Talo Çelën".
Debati në sallë:
Xhuljano Hoxha: A ke folur në “Sky” me Kei Piun?
Erjon Alibej: Nuk e mbaj mend nëse kam folur në “Enchrochat” apo “SkyEcc” me shtetasin Kei Piu. Kei Piu më ka dhënë informacione për Gentian Sharrën. Unë ja merrja me rezerva, sepse nuk kisha besim tek ai. Më jepte informacion për familjarët e mi si dhe për ngjarjen e Bradasheshit, ku vdiq vëllai im. Me ka dhënë dhe informacion për vëllezërit Çala. Unë kam vendos kamera pranë banesës se Kei Piut apo aty ku ai bënte palestër.
Xhuljan Hoxha: Unë në “Sky” i kam thënë Erjonit, për çfarë e do Kei Piun. Ai më ka thënë e përdor për çfarë të dua unë atë. Informatori i Erjon Alibej është Kei Piu. Ky ta thotë kodin e Kei Piut mos ta mbaj për vete. Bëje si burrat, thuaje meqë je spiun i talentuar.
Erjon Alibej: Arsen Preçi i çonte armët tek Nuredin Dumani. Arseni të ka hedh një armë afër një ferre aty dhe ti ke shkuar ta marrësh. Kishe një armë ti po nuk kishe fishekë. Ne të dy nuk kemi ndenjur ndonjëherë bashkë. Unë kam pasur shume makina, çfarë këto pyetje. Qyteti i Elbasanit është i vogël, e dinin të gjithë çfarë makine kisha unë. Arseni shumë pak informacione më ka dhënë, s’ka pas lidhje as me ruajtjet as me ndjekjet. Ka pas ai dhe “Sky” dhe Enchro. Kur unë jap kodin tim, aty dalin të gjithë personat me të cilët unë kam folur. Kodin e Arsenit unë nuk e mbaj mend. Arsen Preçi ka qenë në dijeni që Nuredin Dumani ka qenë në kërkim.
Xhuljano Hoxha- A shkonin bashkëshortja jote, motra dhe mamaja në varreza?
Erjon Alibej– Po, shkonin shpesh.
Xhuljano Hoxha– A harrove që i shoqëroja unë. Edhe të thoja, që i çova.
Erjon Alibej– Nuk e mbaj mend. Nëse e ke bërë faleminderit.
Xhuljano Hoxha- Me nder qofsh, po ku di nder ti. Je palaço fare! Sa lekë la vëllai yt pas vdekjes?
Erjon Alibej- Punë për mua.
Xhuljano Hoxha- Ia ka dhënë prokurorisë?
Erjon Alibej- I kam deklaruar të gjitha.
Xhuljano Hoxha- A ke dashur të vrasësh Megi K.?
Erjon Alibej- Pyet Suel Çelën. (Më fal avokat që po e përmend). E ke në Peqin Suel Çelën.
Xhuljano Hoxha– A do bashkëpunoje sot me mua dhe Nuredin Dumanin për të vrarë Talo Çelën?
Erjon Alibej– Edhe me djallin për Talo Çelën.