Tenderi 1.7 mln euro/ Denoncimi i PD: Komisioni i Prokurimit Publik injoron vendimin e Gjykatës e Apelit

3 March 2025, 20:28Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tenderi 1.7 mln euro/ Denoncimi i PD: Komisioni i Prokurimit Publik injoron
Genta Vangjeli

Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, denoncoi sot nga selia blu skandalin me një tender me vlerë 1.7 milionë euro.

Ajo tha se Komisioni i Prokurimit Publik nuk zbaton një vendim nga Gjykata e Apelit në lidhje me një tender të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Shtetërore.

Bëhet fjalë për tenderin me objekt: “Blerje kuti dhe dosje për ruajtje të përhershme për autoritetet dhe entet kontraktore qendrore dhe rajonale të Tiranës, Loti 1”, me fond limit: 2.2 milion euro.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave tek Arkivat ka shpallur fitues të tenderit kompaninë “Kristalina KH” me ofertë 1.7 milion euro. Por, ndërkohë, kompania tjetër në garë, “Adel Co” ka bërë ankimim në KPP, e cila i dha menjëherë të drejtë, edhe pse kishte ofertë me vlerë 267 mijë euro më shumë se fituesi.

Pasi KPP, ia hoqi tenderin, edhe pse ishte shpallur fituese nga KVO, kompania “Kristalina KH” ankohet në gjykatë dhe si rezultat, Gjykata Administrative e Apelit vendos me anë të vendimit të formës së prerë të shfuqizojë vendimin e KPP-së dhe urdhëron autoritetin kontraktor të vijojë procedurën duke zbatuar vendimin, i cili përbën titull ekzekutiv dhe është i ekzekutueshëm nga shërbimi përmbarimor si vendim i formës së prerë.

Por, ndërkohë, kompania “Adel Co” bën sërish ankimim tek KPP e Jonaid Myzyrit, e cila pranon ta shqyrtojë, edhe pse kompania “Kristalina KH” ishte rishpallur si fitues me vendim gjykate të formës së prerë.

“Çfarë i detyron institucionet shtetërore të veprojnë ndryshe nga sa ka vendosur organi hierarkik më i lartë ligjor, Gjykata Administrative e Apelit”, theksoi zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli.

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Në adresën tonë ka mbërritur një denoncim lidhur me një tender të zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, konkretisht procedura me objekt: Blerje kuti dhe dosje për ruajtje të përhershme për autoritetet dhe entet kontraktore qendrore dhe rajonale të Tiranës, Loti 1, me Fond limit: 2.2 milion euro.

Për këtë procedurë u shpall fitues operatori me ofertë 1.7 milion euro.

Operatori tjetër i kualifikuar, por me ofertë me vlerë 267 mijë euro më shumë se fituesi, ankohet pranë KPP dhe ky i fundit vendos me anë të vendimit datë 25 Mars 2024 të skualifikojë fituesin e shpallur nga KVO.

Fituesi i shpallur nga KVO, tashmë i skualifikuar nga vendimi i KPP-së ankohet në gjykatë dhe si rezultat, Gjykata Administrative e Apelit vendos me anë të vendimit të formës së prerë (v.2024) të shfuqizojë vendimin e KPP-së dhe urdhëron autoritetin kontraktor të vijojë procedurën duke zbatuar këtë vendim gjykate i cili përbën titull ekzekutiv dhe është i ekzekutueshëm nga shërbimi përmbarimor si vendim i formës së prerë.

Pas rishpalljes si fitues me vendim gjykate të formës së prerë, ankimuesi i njëjtë ridorëzon ankimimin e dytë pranë KPP për të njëjtën procedurë dhe të njëjtin operator dhe KPP me anë të vendimit nr. 162/2025 pranon të shqyrtojë një ankesë të paraqitur nga operatori ankimues i njëjtë për një procedurë të njëjtë për të cilën është shprehur gjykata me vendim të formës së prerë dhe vendos ndryshe.

Denoncuesi shpjegon se KPP si shkak ka përdorur argumentin se ndaj shoqërisë fituese është regjistruar procedimi penal dhe ka një akt ekspertimi të kryer nga prokuroria ende në fazën e hetimit paraprak, veprime këto në shkelje të të paktën:

LPP nenin 76 pika 1/dh, Kodin e Procedurave Administrative nenet 13, 14, 17.

Pyetja është çfarë i detyron institucionet shtetërore të veprojnë ndryshe nga sa ka vendosur organi hierarkik më i lartë ligjor pra Gjykata Administrative e Apelit?



Video