
Shqipëria ka bërë një prezantim dinjitoz të bukurive të saj natyrore përmes një video promovuese në panairin e turizmit në Berlin, të shoqëruar edhe me performanca folklorike në skenë.
Ndër performancat nuk kanë munguar ato të Shqipërisë veriore me vallen dhe veshjen karakteristike, po ashtu edhe fustanellat e jugut që hodhën vallen e “Osman Takës”.
Megjithatë një performancë e një kënge vajtuese polifonike, apo siç quhet në gjuhën popullore “labçe”, ka tërhequr jo pak vëmendje.
Ajo është kritikuar për këngën e vajit, “ku ku janë qanë motra për vëllanë”, por edhe për përzierjen me tingujt e pianos në skenë. Një detaj edhe më absurd ka qenë veshja e një prej këngëtareve me Xhubletë, një element që nuk është në traditën e trevave të jugut.
Performanca nuk ka kaluar pa u kritikuar edhe në komente te profili i kryeministrit Edi Rama, ku prezantimi i Shqipërisë në Berlin po shfaqet live.