'Telefonata e fundit'/ Pse nuk arrestohen kokat e FOREX në Shqipëri? (Emrat)

19 October 2022, 11:06Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

'Telefonata e fundit'/ Pse nuk arrestohen kokat e FOREX në

Një tjetër ‘Call Center’ e cila ishte një “strofull” mashtrimi është zbuluar, duke çuar në pranga 3 persona, e ndërsa në kërkim është shpallur pronari.

Pranga kanë rënë administratori Doris Telhallari dhe 2 operatorët Eldjon Lleshi dhe Ergi Ali e ndërsa në kërkim është shpallur pronari Ardit Topalli. Call Center ishte në zonën e ish-Parkut, ato përdonin niptin e një kompanie ‘Dag it Solution’ me status pasiv në QKB.

Nga sa bëhet e ditur 2 operatorët së bashku me administratorin, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.

Hetimet e drejtuara nga prokurori Bledar Valikaj kanë nisur në shkurt 2022. Punonjësit mashtronin shtetas të huaj gjermanë, francezë e spanjollë. Pagesa merrej në bitcoin në Shqipëri, teksa si provë i janë gjetur listat e bankave offshore ku bëheshin transfertat. 

Pronari i kompanisë është arratisur, mirëpo ai është i implikuar në këtë skemë mashtrimi për shkak se janë gjetur mesazhe teksa ai instrukton punonjësit për procedurën.

Në kuadër të operacionit (Telefonata e fundit), janë sekuestruar 4 kompjuterë, celularë lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

Hetimet vijojnë për kapjen e pronarit dhe personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë skemë krimi. Kjo nuk është hera e parë është zbuluar një Call Center që mashtron klientë vendas dhe të huaj, e ndërsa përdorin skemën “Forex”. 

Rrjeti FOREX ofron mundësinë për t'u futur në internet, për të investuar, për të blerë monedha, aksione, etj, të presësh që çmimet në bursë të rriten, për t’i shitur shumë më shumë nga sa i kanë blerë. Në një rrjet të ligjshëm e të lincencuar kushdo që arrin rezultatin e dëshiruar, mund të tërheqë fitimin e të mbyllë llogarinë.

Çfarë është tregtimi në Forex?

Tregtimi i Forex në internet do të thotë tregtimi i një monedhe për një tjetër. Kur bëni tregtim të përgjithshëm të Forex-it, gjithmonë shkëmbeni çifte monedhash, d.m.th shisni një monedhë për të blerë një tjetër.

Monedhat në botën e huaj janë renditur sipas emërtimit të tyre ndërkombëtar, d.m.th. me një kod kapital me tre shkronja. Në përgjithësi, shkronjat e para tregojnë vendin e monedhës, ndërsa shkronja e tretë simbolizon vetë monedhën. Pra, USD qëndron për dollar amerikan, JPY për jen japonez, etj.

Nëse shihni një palë monedhe në këtë porosi USD/JPY do të thotë se po blini dollarë amerikanë dhe po shesin jen japonez.

Ky është vetëm një nga çiftet e monedhave më të njohura në botën e Forex. Çifte të tjera të njohura janë USD/ EURO dhe GBP/EURO-GBP qëndron për paund britanik.

Njoftimi i policisë

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar "Last call”, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë. Mashtronin shtetas të huaj, nëpërmjet telefonit, për të investuar në bursa fiktive, vihen në pranga admininstratori i subjektit dhe 2 punonjës (operatorë).

Shpallet në kërkim pronari i subjektit të paregjistruar në organet tatimore, sekuestrohen 4 njësi kompjuterike, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Last call".

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

- D. T., 35 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti call center;

- E. Ll., 28 vjeç dhe E. A., 23 vjeçe, të dy banues në Tiranë, të punësuar si operatorë në këtë subjekt.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim pronari i këtij subjekti, shtetasi A. T., 34 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi D. T. administronte një subjekt privat call center, me pronar shtetasin A. T., në zonën e ish-Parkut.

Në këtë subjekt të paregjistruar në organet kompetente ishin të punësuar si operatorë shtetasit E. Ll. dhe E. A., të cilët, së bashku me administratorin, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 4 njësi kompjuterike, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe kapjen e shtetasit A. T, materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Pse Policia e Shtetit nuk arreston “kokat” e këtij biznesi që i shkakton shtetit shqiptar dëme të mëdha në mosdeklarimin e të ardhurave, fshehjes së tyre e mospagimin e taksave por kapet me fundin e kavallit?/VoxNews


Video