Një efektiv i repartit “Shqiponja” mbeti i plagosur me armë zjarri pasditen e kësaj të mërkure në Tiranë. Ngjarja ndodhi në rrugën “Hysen Xhura”, në zonën e Kinostudios, gjatë kohës që patrulla e policisë po ndiqte një person të dyshimtë.
Efektivi Edlir Alleshi mori dy plumba në bark dhe pasi iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spital.
Ndërkohë është lokalizuar dhe pritet arrestimi i Klered Bozhanit, 42-vjeçarit që plagosi me armë zjarri efektivin e Policisë, Edlir Alleshi.
Autori Klered Bozhani ndodhet në Tiranë, ndërsa mësohet se në komisariatin nr. 4 është shoqëruar vëllai i tij, i cili mund te përdoret për të negociuar për dorëzimin në polici.
Burime nga policia bënë me dije se autori dyshohet se ka lidhje me persona me të shkuar kriminale në zonë.