Komisioni i Shpronësimeve ka vendosur të dëmshpërblejë me shifrën rekord prej 2.5 mln eurosh familjarët e Sarajeve të Toptanëve, që përmes një vendimit të mëhershëm të Qeverisë u shpallën zonë e mbrojtur.
Shifra është rreth 1 mln euro më shumë nga vlerësimi paraprak i vlerës së pronës të bërë nga Agjencia Shtetërore e Shpronësimeve. Kjo agjenci i vlerësoi paraprakisht 177 milionë lek, ose rreth 1.5 mln euro.
Ky vlerësim u kundërshtua nga trashëgimtarët, që e konsideruan atë të ulët në krahasim me vlerën reale të ndëtesës dhe të truallit përreth saj.
“Sarajet” përfunduan në qendër të vëmendjes publike pas një tentative për djegien e tyre gushtin e vitit të kaluar. Në një video që u publikuar në atë kohë nga kryebashkiaku Erion Veliaj shfaqej një person me një pishtar flake në dorë teksa nxiton pranë Monumentit të Kulturës. Fatmirësisht flakët u vunë nën kontroll, ndërsa u ndez debati për pronësinë.
Pati nga ata që akuzuan ndërtuesit që qëndrojnë pas përpjekjeve për djegien e monumentit.
Pas këtij vendimi i hapet rruga restaurimit dhe shndërrimit të Sarajeve historike në objekt muze. Për restaurimin dhe muzealizimin e tyre pritet që në një vendim tjetër të qeverisë të vihet në dispozicion një tjetër shumë e konsiderueshme.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.