Rrjedhja e të dhënave bankare, sekuestrohet hard disku, ja kujt i përket (EMRI)

12 December 2022, 18:17Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rrjedhja e të dhënave bankare, sekuestrohet hard disku, ja kujt i
Foto ilustruese

Prania e të dhënave bankare të qytetarëve shqiptarë në diskun që u është sekuestruar personave të vendosur nën akuzë, për publikimin e databazës së pagave në fillim të këtij viti, është lënë pa u hetuar nga Prokuroria e Tiranës.

Kjo e fundit, në kërkesën për gjykim ndaj katër të pandehurve Eni Qirjako, punonjëse e tatimeve, Andi Agaraj, punonjës i AKSHI-t dhe përmbaruesve privatë Klodian Sota dhe Endri Ikonomi, përshkruan se në kompakt-diskun e ekspertuar, ka gjetur veç të tjerash edhe një sasi të konsiderueshme të dhënash bankare të qytetarëve shqiptarë.

Në faqen 3 të kërkesës për gjykim, shpjegohet se hard disku objekt ekspertimi i është sekuestruar shtetasit Klodian Sota, por pavarësisht konstatimit nga eksperti të informacioneve bankare, të pandehurit janë akuzuar vetëm për kopjimin, shitjen dhe më pas publikimin e databazës së pagave.

Fatmirësisht të dhënat bankare nuk janë publikuar, megjithatë qarkullimi i tyre jashtë kanaleve shtetërore, krijon dyshime për keqpërdorimin e informacioneve sensitive për qytetarët shqiptarë. Gjatë hetimeve për publikimin e databazës së pagave, Prokuroria e Tiranës ka evidentuar se materialet janë nxjerrë nga sistemi i tatimeve nga useri në përdorim të punonjëses Eni Qirjako, e cila më pas ia ka transferuar kolegut të saj Andi Agaraj.

Ky i fundit, sipas prokurorisë, dyshohet se ia ka shitur dokumentet kundrejt 20 mijë lekëve të reja, dy të akuzuarve të tjerë Klodian Sota dhe Endri Ikonomi. Shitja është bërë përmes dorëzimit të hard dikut, ku ishin hedhur të gjitha informacionet, përfshirë databazën e pagave e të targave, që u bënë publike, por edhe informacionet bankare që fatmirësisht nuk janë publikuar.

Endri Ikonomi rezulton pronar i kompanisë PRO 3 VT, që ka si objekt mbledhjen e borxheve nga kreditë e këqija të bankave. Po ashtu, edhe Klodian Sota, të cilit iu sekuestrua hard disku me të dhënat bankare, rezulton pronar i kompanisë Smart Collection me objekt aktiviteti mbledhjen e borxheve të bankave, institucioneve shtetërore dhe private.

Dyshohet se dy persona i kanë përdorur informacionet bankare për të gjurmuar pagesat dhe gjendjen në llogaritë e qytetarëve me qëllim shlyerjen e shpejtë të borxheve. Pas ndalimit nga policia të katër personave, Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuzë zyrtare ndaj tyre për publikimin e databazës së pagave të 650 mijë qytetarëve shqiptarë./OraNews


Video