Rreziku nga shpërthimi bërthamor, toksikologu tregon pasojat dhe si duhet të mbrohemi

5 March 2022, 10:29Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rreziku nga shpërthimi bërthamor, toksikologu tregon pasojat dhe si

Toksikologu Qemal Poçi ka folur për rrezikun bërthamor pas sulmit rus në Ukrainë.

Goditja që u bë të premten mbi centralin bërthamor në Zaporizhja, më i madhi në Europë, toksikologu Poçi tregon për pasojat e një shpërthimi të këtij centrali jo vetëm në Ukrainë por edhe shumë më gjerë.

Cilët janë faktorët që po na çojnë drejtë një katastrofe mbarënjerëzore dhe pasojat e pallogaritshme të një lufte të tillë që ka në kokë Putini.

Në një intervistë për gazetën Dita, Poçi tregon faktorët dëmtues të armëve bërthamore.

“Cilido qoftë kalibri i bombës atomike apo me hidrogjen faktorët dëmtues janë katër: vala goditëse, rrezatimi ndriçues, pluhuri radioaktiv dhe rrezatimi përshkues.

Nga lloji i bombës që do përdoret (atomike apo me hidrogjen) dhe kalibrit të saj varet efekti dëmtues i tyre në përgjithësi, por edhe roli i secilit faktor në veçanti. Për shembull, në bombat e kalibrit të vogël mbizotëron vala goditëse dhe rrezatimi përshkues, kurse në bombat me fuqi të madhe mbizotëron vala goditëse dhe rrezatimi ndriçues.

Le t’i analizojmë këta faktorë:

1. Vala goditëse është faktori më i fuqishëm i shpërthimit bërthamor që përbën rreth 2/3  e efektit të saj dëmtues. Në vendin e shpërthimit krijohet një temperaturë e lartë prej miliona gradësh. Në vendin e plasjes të gjithë elementët (në tokë, ujë, ajër, bimësi), kalojnë në gjendje gazi, krijohet një rruzull i fuqishëm zjarri dhe një shkëlqim verbues, që edhe në largësinë prej 10 km një bombë me fuqi  kiloton e kalon 100 herë shkëlqimin e diellit që vërehet nga toka. Nga shpërthimi i fuqishëm, ajri i nxehtë lëviz me fuqi nga epiqendra dhe në varësi nga kalibri i bombës fuqia e saj bie në largësi të ndryshme. Për shembull, forca e valës goditëse prej 20 kiloton shkatërron çdo objekt mbitokësor në largësi prej 1800 metra. Mendoni se sa e fuqishme e valës goditëse me ekuivalent trotili prej 1 milion ton.

Kufiri i parë i valës goditëse quhet fronti i valës. Gjatë lëvizjes së saj, në varësi të kalibrit, shkatërrohen ndërtimet mbitokësore, njerëzit, kafshët, pemët e të mbjellat. P.sh, në rastin konkret vala goditëse distancën prej 1 km e arrin për gjysmë sekonde, 5 km për 5 sekonda, 10 km për 22.5 sekonda. Prandaj, për t’u mbrojtur prej saj, menjëherë duhet të shtrihemi nëpër këndë, gropa apo barkas shpejt mbi sipërfaqen e tokës me kokën në drejtim të kundërt të goditjes.

Gjatë shpërthimit të bombës, ajri duke u larguar me shpejtësi nga epiqendra, krijon edhe një vakuum. Prandaj, ai kur arrin limitin e barazimit me trysninë normale, kthehet me shpejtësi në epiqendër për të plotësuar vakuumin. Në këtë rast, ai rrëzon edhe ato objekte që janë lëkundur, por nuk kanë rënë. Prandaj njeriu që është shtrirë, nuk duhet të ngrihet në këmbë para se të kthehet ajri në epiqendër. Forca goditëse e trysnisë së frontit të ajrit matet me kg për 1 cm2. Psh, trysnia prej 1.0 kg për cm2 shkatërron plotësisht objektet mbitokësore, pemët, të mbjellat. Trysnia prej 0,6-1. Kg/m2 shkakton plagë të rënda, 0.4-0.6 të mesme dhe 0.2-04 të lehta.

2. Rrezatimi ndriçues shkaktohet nga temperatura e lartë gjatë shpërthimit bërthamor dhe zgjat nga disa të dhjeta të sekondës për një kiloton, deri në 30 sekonda në kalibrin me 10 megaton. Ky faktor shkakton djegie, shkalla e të cilave varet nga madhësia e impulsit të dritës (që përbën sasinë e saj në 1 cm2). Kuptohet, temperatura shumë e lartë shkakton djegie jo vetëm në njerëz dhe kafshë, por edhe në objekte, pemë , të mbjella etj. Për t’u mbrojtur nga rrezatimi ndriçues, njeriu duhet të fshihet prapa çdo objekti të padepërtueshëm nga zjarri.

3. Rrezatimi përshkues (radiacioni përshkues) formohet nga rryma e neutroneve dhe rrezet gama. Të dyja këto  formohen gjatë shpërbërjes bërthamore në çastin e shpërthimit. Lar4gësia  e veprimit varet nga ekuivalenti i tritolit, i cili arrin: kur bomba është 20 kiloton, largësia  arrin 1.2-2 km. Kur ajo është 10 megaton, largësia arrin 7 km. Rrezet gama veprojnë mbi qelizat, i jonizojnë ato, molekulat dhe atomet, prishin veprimtarinë jetësore të tyre dhe të gjithë organizmit. Radioaktiviteti lind jo vetëm  në inde, por edhe në ajër, tokë, ujë, prodhimet ushqimore, sendet metalike. Sendet që radioaktivizohen, me kalimin e kohës çlirohen nga radioaktiviteti.

4. Ndotja radioaktive. Produktet radioaktive që formohen pas shpërthimit bërthamor, ngrihen në atmosferë; lëvizin me drejtimin e erës dhe bien gradualisht mbi tokë si dhe në rajonin e shpërthimit, ashtu dhe jashtë kufijve të tij, duke lënë gjurmë të padukshme të radioaktivitetit.

Ndotja radioaktive e mjedisit karakterizohet nga doza e rrezatimit gjatë kohës së shpërndarjes së plotë të lëndëve radioaktive, si dhe nga niveli i rrezatimit. Konsiderohet i ndotur me lëndë radioaktive territori në të cilin niveli i rrezatimit arrin në 0.5 rentgen në orë. Zona e rrezikshmërisë që paraqet niveli i rrezatimit ndahet në tre shkallë: - zona e ndotjes së lehtë – doza e rrezatimit gjatë shpërbërjes së plotë të lëndës radioaktive arrin në 40-400 rentgen dhe përbën 70-80 për qind të lëndëve radioaktive; - zona e ndotjes mesatare 400-1200 rentgen dhe ka 10-12 për qind  gjurmë radioaktive. – zona e ndotjes së fortë ka mbi 1200 rentgen dhe kaq nga sipërfaqja e ndotur prej 8-10 për qind.”


Video