
Protestat që përfshinë Shqipërinë gjatë vitit 2026 dhe zgjatën për 59 ditë janë përfshirë në një raport të OSAC (Overseas Security Advisory Council), strukturë e lidhur me Departamentin Amerikan të Shtetit.
Sipas raportit, tubimet nisën si protesta mjedisore kundër një projekti për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit, por më pas morën një dimension më të gjerë politik dhe shoqëror.
“Protestat nisën si demonstrata mjedisore lokale, por kur policia i shpërndau ato, mijëra shqiptarë dolën në rrugët e qyteteve kryesore”, thuhet në raport.
Dokumenti vlerëson se lëvizja qytetare u shndërrua më pas në një reagim më të gjerë kundër qeverisë, ku protestuesit ngritën shqetësime për korrupsionin institucional dhe funksionimin e institucioneve publike.
“Në vitin 2026, protesta të mëdha vunë në shënjestër një projekt për një resort luksoz në ishullin e Sazanit. Tubimet nisën si demonstrata mjedisore lokale, por kur policia i shpërndau ato, mijëra shqiptarë dolën në rrugët e qyteteve kryesore. Protestat u zgjeruan duke përfshirë thirrje kundër korrupsionit qeveritar, ndërsa disa prej tyre degjeneruan në dhunë”, thuhet më tej në raportin e OSAC.