Procesi gjyqësor ndaj Laert Haxhiut në Gjykatën e Posaçme vijon me marrjen në pyetje të dëshmitarëve, ndërsa në seancën e radhës ka dëshmuar Sami Bashaliu, i cili ka rrëfyer detaje për një ngjarje kriminale të ndodhur pranë lokalit të tij.
Gjatë dëshmisë, Bashaliu është pyetur nga prokurori nëse kishte ndodhur ndonjë vrasje pranë lokalit ku ai ushtronte aktivitetin.
“Po, kam një lokal para shtëpisë”, ka deklaruar dëshmitari, duke treguar se ngjarja kishte ndodhur në orët e mëngjesit.
Sipas tij, në vendngjarje kishte mbërritur një automjet Audi i bardhë me targa shqiptare dhe xhama të zinj.
“Ka qenë mëngjes, ishte një makinë me xhama të zinj, Audi e bardhë me targa shqiptare. U afrova, nuk pashë njeri”, ka rrëfyer Bashaliu.
Ai ka treguar se viktima, Albi Bashaliu, ishte futur në lokal për të pirë kafe dhe më pas kishte dalë jashtë, ku ishte afruar një person nga automjeti.
“I ndjeri Bashaliu u fut të pinte kafe. Doli njëri nga makina dhe i foli Bashaliut. U dëgjuan zhurma armësh. Ishin mbuluar me maskë. Gjuajti disa herë”, ka deklaruar dëshmitari.
Bashaliu ka vijuar dëshminë duke përshkruar edhe momentet pas të shtënave.
“Ky që gjuajti ndenji aty, tjetri i hidhte benzinë makinës. Ia vuri flakën makinës dhe e lanë të shtrirë aty. I gjuajtën prap, kaq pashë”, është shprehur ai para gjykatës.
Dëshmitari ka sqaruar se Albi Bashaliu ishte pjesë e fisit të tij dhe se njihej me nofkën “Gjoni”.
Ndërkohë, i pyetur nëse kishte dijeni për Laert Haxhiun para vrasjes, Bashaliu tha se nuk kishte dëgjuar për të.
“Për Laert Haxhiun nuk kishim dëgjuar gjë para vrasjes”, deklaroi ai.
Sipas dëshmisë së tij, Albi Bashaliu kishte qenë në lokalin e tij edhe një natë para ngjarjes.
“Albi ka qenë te lokali edhe një natë para ngjarjes, të nesërmen u bë vrasja në mëngjes herët”, tha Sami Bashaliu.
Procesi ndaj Laert Haxhiut vijon me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve të thirrur nga Gjykata e Posaçme.