Kryeministri Edi Rama ka ndarë një fotografi me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, të realizuar gjatë vizitës së tij në Paris, duke e shoqëruar me një mesazh mbi marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Francë.
Në postimin e tij, Rama thekson se projekti për rikonstruksionin e Liceut Francez të Korçës është tashmë pjesë e vëmendjes së Presidencës franceze dhe një ndër nismat që po ndiqen në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Sipas kryeministrit, ky zhvillim reflekton një transformim të raporteve dypalëshe, duke kujtuar se “një dekadë më parë ishte e paimagjinueshme” që Franca të kishte një rol të tillë të drejtpërdrejtë në projekte shqiptare dhe që Shqipëria të konsiderohej partner strategjik në Ballkan.
Rama e lidh këtë qasje me vizitën e mëparshme të Macron në Tiranë dhe me thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin dhe trashëgiminë kulturore.