Qeveria ‘përjashton’ dhelprën e kuqe nga moratoriumi i gjuetisë për qëllime shkencore pasvaksinale

24 August 2023, 21:03Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Qeveria ‘përjashton’ dhelprën e kuqe nga moratoriumi i
Dhelpra

Qeveria shqiptare vendosi përjashtimin nga ndalimi i gjuetisë për qëllime shkencore pasvaksinale të kafshëve të vaksinuara, në kuadër të projektit IPA 2020, “Kontrolli dhe çrrënjosja e sëmundjes së tërbimit – faza IV”, financuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas VKM-së, gjuetia e dhelprës së kuqe për marrjen e kampionëve të dhelprës kryhet në të gjithë territorin e vendit, me përjashtim të territorit të zonave të mbrojtura mjedisore, përgjatë muajve shtator, tetor, nëntor 2023. Në VKM përcaktohet që brenda kësaj periudhe, gjuetia të kryhet në ditët e mërkurë, e enjte, e premte dhe e shtunë.

Për marrjen e kampionëve të dhelprave të kuqe, nëpërmjet gjuajtjes së tyre, do të angazhohen në të gjithë vendin 39 punonjës të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të pajisur me shenjë dalluese për këtë proces, për sigurimin në total të 324 (treqind e njëzet e katër) kampionëve të dhelprave të kuqe.

Vendimi i Këshillit të Ministrave

PËRJASHTIMIN NGA NDALIMI I GJUETISË, PËR QËLLIME SHKENCORE PASVAKSINALE, TË KAFSHËVE TË VAKSINUARA, NË KUADËR TË PROJEKTIT IPA 2020, KONTROLLIN DHE ÇRRËNJOSJEN E SËMUNDJES SË TËRBIMIT-FAZA IV

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1, shkronja “b”, e 2, të nenit 4, të ligjit nr.60/2022, “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përjashtimin nga ndalimi i gjuetisë, duke lejuar gjuetinë e dhelprës së kuqe, për qëllime shkencore pasvaksinale, në kuadër të projektit IPA 2020, “Kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjes së tërbimit – faza IV”, financuar nga Bashkimi Evropian.

2. Gjuetia e dhelprës së kuqe për marrjen e kampionëve të dhelprës kryhet në të gjithë territorin e vendit, me përjashtim të territorit të zonave të mbrojtura mjedisore, përgjatë muajve shtator, nëntor dhe dhjetor 2023. Brenda kësaj periudhe, gjuetia të kryhet vetëm në ditët e mërkurë, e enjte, e premte dhe e shtunë.

3. Për marrjen e kampionëve të dhelprave të kuqe, nëpërmjet gjuajtjes së tyre, të angazhohen në të gjithë vendin 39 (tridhjetë e nëntë) punonjës të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të pajisur me shenjë dalluese për këtë proces, për sigurimin në total të 324 (treqind e njëzet e katër) kampionëve të dhelprave të kuqe.

Numri i personave, që realizojnë marrjen e kampionëve në çdo qark, si dhe numri i kampionëve të dhelprave që sigurohen për secilin qark, jepen në shtojcën që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Detajimi i punonjësve përkatës, që marrin pjesë në këtë proces, bëhet nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Analizimi i kampionëve të dhelprës së kuqe bëhet nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare.

4. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, pajis me autorizimin përkatës për kryerjen e gjuetisë së dhelprës së kuqe për çdo qark, punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, që marrin pjesë në këtë proces.

5. Gjatë gjithë kohës së kryerjes së kësaj veprimtarie në zonat ku do të kryhet gjuetia dhe marrja e kampionëve nga dhelprat, procesi kontrollohet nga strukturat vendore përgjegjëse për pyjet në njësitë e vetëqeverisjes vendore, shërbimet veterinare përkatëse dhe Policia e Shtetit.

6. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve të bashkëpunojë me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në lidhje me pajisjen e punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura me pajisje (frigobokse) për ruajtjen e kampionëve (kokat e dhelprave). Punonjësit e Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, pas marrjes së kampionëve (kokat e dhelprave), t’i dorëzojnë këto të fundit pranë shërbimit veterinar rajonal përkatës.

7. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural koordinon procesin për marrjen e kampionëve të dhelprave të kuqe, dërgimin e tyre në laboratorët përkatës, analizimin dhe nxjerrjen e rezultateve, si dhe raportimin për përfundimin e kësaj faze të procesit të monitorimit pasvaksinal kundër sëmundjes së tërbimit të dhelprës së kuqe në Shqipëri.

8. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Brendshme, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, Drejtoria e Shërbimit Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.


Video