Pse SPAK i mori dosjet gazetarit, a rrezikonin të dilnin emra që do tronditnin ekuilibrat në vend? Qyno: Duhet të shihen…

14 December 2023, 14:25Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pse SPAK i mori dosjet gazetarit, a rrezikonin të dilnin emra që do
Fiori Dardha dhe Elton Qyno

Gazetari Elton Qyno është gjendur në një situatë të paprecedentë ditën e djeshme. Oficerë të BKH i kanë sekuestruar sendet e tij personale, si telefona, kompjuterë dhe disa usb për shkak të një hetimi që SPAK ka nisur për nxjerrjen e sekretit hetimor.

Sot ai ka folur për këtë çështje në emisionin Breaking me Fiori Dardhën në Top News dhe ka rrëfyer terrorin e ushtruar nga prokurorët e SPAK.

“Ka qenë një kërkesë e një prej oficerëve të BKH që unë të paraqitem në lidhje me një urdhër për ndalimin e publikimit të akteve hetimore dhe kam pranuar. Pasi kam hyrë në SPAK më thanë se duhet të merrem në pyetje. Dhashë shpjegimet e mia dhe më pas m’u dha urdhri për ndalimin e publikimit të akteve hetimore. Më pas situata u ndërlikua, sepse oficerët dhe prokuroi i çështjes kërkuan që të sekuestrohen dy telefonat e mi, me arsyetimin se ka nisur një hetim për nxjerrje sekreti hetimor. Unë nuk i kisha telefonat dhe nuk pranova t’i dorëzoj. Ata këmbëngulën, shkuan në gjykatë dhe kërkuan një vendim gjykate për të bërë kontrollin fizik timin, të makinës, të shtëpisë dhe të zyrës ku punoj. Dy kompjuterat u sekuestruan, 7-8 usb dhe janë gjetur edhe dy telefonat e mi”, tha Qyno.

 Gazetari tha gjithashtu se ndaj tij është ushtruar presion psikologjik gjatë gjithë kohës.

“Është shqetësuese edhe për komunitetin tonë, sepse sot më ndodhi mua dhe nesër mund t’i ndodh një kolegu tjetër. Ky është një rast që duhet të parë edhe monitoruar në të gjitha instrumentat edhe të veprimeve të ligjshme apo edhe të paligjshme të SPAK-ut.

Në lidhje me hetimin hetimor që ai ka nxjerr, Qyno tha: “Unë personalisht kam nxjerr disa materaile që lidhen me bisedat SKY të komunikimve të individëve të ndryshëm të botës së krimit, por edhe komunikimeve që ka bërë Nuredin Dumani, që të gjithë gazetarët i disponojnë. Nuk është fare etike që të merresh me një gazetar se ku e ka gjetur burimin. U kam komunikuar prokurorëve se nuk është detyra ime të tregoj se, ku i kam marrë materialet dhe njerëzit me të cilët mbaj kontakte. Ky është një rast i paprecedent dhe nuk mbaj mend rast të dytë.

Qyno thotë  se nuk zotëron më asnjë nga provat që kishte, edhe pse ato i kanë edhe shumë gazetarë të tjerë: “Unë aktualisht telefonat dhe kopmjuterat nuk i kam, edhe të punës edhe të shtëpisë, por këto materiale tashmë janë përhapur, nuk është se i kam vetëm unë dhe publikimi i materialeve do të fillojë sërish.

I pyetur nga moderatorja se kujt i intereson mospublikimi i këtyre materialeve ai thotë se “i intereson SPAK-ut, sepse sipas tyre një pjesë e këtyre materiale nuk janë lexuar dhe shqyrtuar dhe çështja është ende nën hetim. Argumenti i tyre është që për sa kohë nuk i ka zbardhur ende SPAK-u nuk mund t’i zbardhë media dhe në një farë mënyre ata ia kanë arritur qëllimit që të mos dalin, por në Shqipëri asgjë nuk ngelet pa dalë dhe një moment do dalin.

-A ka aty emra politikanësh, apo biznesmenësh që mund të prishin ekuilibrat në vend?

Sigurisht që ka emra, por realisht nuk i kam lexuar të gjitha, pavarësisht se kam lexuar një pjesë. Besoj se ka, por sigurisht duhet parë dhe konteksti i bisedave dhe dinamika.


Video