Pse Presidenti nuk mbledh dot Këshillin e Sigurisë për tjetërsimin dhe korrupsionin masiv me pronat e Forcës Detare?

14 June 2023, 13:26Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pse Presidenti nuk mbledh dot Këshillin e Sigurisë për
Harta e bazës detare

Nga Artur Meçollari

Përse Presidenti nuk mbledh dot Këshillin e Sigurisë Kombëtare për tjetërsimin dhe korrupsionin masiv me pronat e Forcës Detare?

Korrupsioni masiv me pronat e Forcës Detare dhe vënia nën sekuestro e Bazës Detare të Sarandës duhet të mblidhnin Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Shqipëria është i vetmi anëtar i NATO-s me një bazë detare nën sekuestro preventive. Por, kjo nuk ndodhi dhe nuk ka për të ndodhur, pasi:

Sipas ligjit nr. 64/2014 "për pushtetet dhe autoritetet e komandimit dhe drejtimit në FA", neni 15, pika 9.d. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA është përgjegjës për "kontrollin e gadishmërisë luftarake dhe merr masa për përmirësimin e saj".

Nëntor 2020 - filluan punimet për ndërtimin e godinës 4-katëshe në Bazën Detare të Shëngjinit;

18 dhjetor 2020 - Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, ndërsa godina ishte në katllavan, nxjerr urdhër operacional që Policia Ushtarake të ndihmojë Forcën Detare për moslejimin e civilëve të kryejnë punime në Bazën e Shëngjinit dhe sigurimin e saj.

19 dhjetor 2020 - Komandanti i Bazës së Shëngjinit raporton në Forcën Detare dhe Shtabin e Përgjithshëm se Policia Ushtarake nuk e ndihmon për zbatimin e Urdhërit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA të datës 18 dhjetor 2020;

23 dhjetor 2020 - me propozim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, Ministri i Mbrojtjes shkarkon pa motivacion nga detyra Komandantin e Bazës Detare të Shëngjinit;

6 mars 2021 - ndërsa godina ka mbërritur në katin e katërt, Ministri i Mbrojtjes nxjerr urdhër për bllokimin e punimeve dhe sigurimin e Bazës Detare të Shëngjinit edhe me Polici Ushtarake. Punimet bllokohen.

Tetor 2021 - Fillon zaptimi i pronës nr. 219 "ish-depua e minave" në Porto Ronano;

12 dhjetor 2021 - Marrëveshje e Forcës Detare me kompaninë "Marina Bay Saranda" për dorëzimin e Bazës Detare të Sarandës;

Shkurt 2022 - Forca Detare i dorëzon firmës private "Marina Bay Saranda" Baza Detare e Sarandës;
Në mars 2023 GJKKO, me propozim të SPAK vuri nën sekuestro Bazën Detare të Sarandës me arsyetimin "i drejtë parashtrimi i prokurorit se duhet të ndërpritet kryerja e investimit në fushën e turizmit, apo dhe ndërtime të tjera nga investitori, mbi pronën 696 (Baza Ndihmëse, Limion), për arsye se disponimi lirisht i kësaj prone nga subjektet private, cënon gatishmërinë dhe operacionalitetin e Forcës Detare, operacionalitet i cili duhet të vazhdojë të kryhet nga organi kompetent që është Komanda e Forcës Detare, pa ndërhyrje të subjekteve private".

Po kush ka qënë Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA në të gjitha këto data?
Nga data 29 korrik 2020 deri më 4 qershor 2022, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA ka qënë gjeneralmajor Bajram Begaj, që sot duhet të mbledhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare si President i Republikës.
SPAK prej dy vitesh është duke hetuar gjashtë vepra penale që lidhen me tjetërsimin e pronave të Forcës Detare, ku i dyshuar është edhe ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, sot President i Republukës Bajram Begaj.

Çështjet në hetim janë:

1) Procedura e lidhjes së kontratës më 15 korrik 2020 për dhënien me qera 1 Euro për 20 vjet të Bazës Detare Sarandë kompanisë "Marina Bay Sarsnda", si bashkim i operatorëve ekonomik Kastrati Group dhe Concord Investment:

2) Procedura e lidhjes së kontratës konçesionale më 23 qershor 2020 për portin turistik të Limionit për 35 vjet me kompaninë "Marina Limion" si bashkim i operatorëve Kastrati Group dhe Edil-Al-It.

3) Dorëzimin e bazës Detare të Sarandës në shkurt 2022 firmës Marina Bay Saranda. Për këtë SPAK në mars 2023 ka vendosur sekuestro preventive mbi bazën Detare të Sarandës me argumentin se zotërimi i lirë i pronës nga privati ka cënuar gadishmërinë operacionale të Forcës Detare dhe ia ka kthyer pronën po Forcës Detare që e ka dorëzuar vetë.

4) Lejimin dhe zaprimin e pronës nr. 219 "Ish-Depua e minave" Porto Romano me sipërfaqe 5,2 hektar prej tetorit 2021 nga operatori Porto MBM, pjese e Kastrati Group.

5) Lejimi i ndërtimit të një godine 4-katëshe midis nentorit 2020 dhe marsit 2021 në Bazën Detare të Shëngjinit.

6) Shkelje të ligjit, pa miratim të Presidentit, për nxjerrjen nga plani i përhapjes dhe vendosjes së Forcës Detare të 133 hektar nga 200 hektar të provave në katër baza detare: Shëngjin, Kepi i Palit, Pashaliman dhe Palerm.

Shënim: Nëse Presidenti i Republikës nuk do ishte nën hetim nga SPAK për Bazën Detare të Shëngjinit, si i vetmi person subjekt i tij, SPAK duhet të kishte shpallur moskompetencën. Në fakt ka regjistruar hetimin penal dhe hetimi vijon prej dy vitesh. Presidenti duhet të informojë publikun nëse është pyetur nga SPAK?


Video