Pse aksidentohen autobusët e Nadir Çaushollit?

27 February 2023, 16:12Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pse aksidentohen autobusët e Nadir Çaushollit?
Në foto: Nadir Çausholli

Më 29 prill të vitit të kaluar, një autobus i linjës së unazës së mesme, ku e licencuar është një kompani me pronar Nadir Çaushollin përfundoi mes për mes lumit të Lanës. Fatmirësisht, edhe pse ishte përplot me pasagjerë, nga aksidenti i pazakonte nuk pati të lënduar në gjendje serioze.

Dhjetë muaj më vonë, një tjetër autobus i kësaj linje u përfshi në një aksident masiv dhjetra metra në distancë nga aksidenti i mëparshëm.

11 automjete u përfshinë në aksident, gjashtë persona mbetën të lënduar, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Mes këtyre dy aksidenteve më të bujshme janë regjistruar edhe disa të tjerë ku protagonistë sërish kanë qenë autobusët e Green Line të Nadir Çaushollit.

Në shumicën e rasteve, faji u është lënë shoferëve të tyre, por e vërteta qëndron diku tjetër. Vox News bisedoi me një 58-vjeçar, ish-shofer i autobusëve Green Line për gati një vit. Në kushte anonimati ai i shpjegon aksidentet jo për faj të shoferëve.

‘Janë autobusë të vështirë për t’u manovruar. Kanë probleme me sistemin e drejtimit, të frenimit dhe të marrjes së gazit. Problemet ndodhin kur kalon nga furnizimi me bateri te ai me karburant, por ka ndodhur shpesh edhe në raste të tjera”, tregon 58-vjeçari.

Ai nuk përjashton mundësinë e gabimit të shoferit në rastin e aksidentit të ndodhur këtë të hënë te Shallvaret, por vë dorën në zjarr se për aksidentin e ndodhur në prill të vitit të kaluar faji ka qenë i autobusit.

‘E njoh shoferin që e drejtonte. Mbi 25 vite në shofer kamionësh, furgonësh e autobusësh me asnjë aksident. Mund të ndodhë që të humbasë përqëndrimin, të përplaset me një mjet tjetër, apo të dalë pak nga korsia, por të përfundojë në Lanë në atë farë feje s’bën vaki’, thotë ai.

Sipas 58-vjeçarit, në atë aksident autobusit i është bllokuar timoni. Ndërsa mes shkaqeve të aksidenteve të tjera rendit edhe orët e gjata me të cilat punojnë shoferët, mungesa e kontrolleve dhe riparimeve të shpeshta për mjetet e deri te trafiku rrugor.

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video