Dosja e inceneratorit të Fierit nuk është e para që drejtësia shqiptare heton me akuzën e korrupsionit dhe me siguri nuk ka për të qenë e fundit. Por, po kjo dosje është rasti shembullor kur prokuroria e posaçme SPAK vendos një precedent të padëgjuar e pahasur deri më tani edhe për përmasat e çudive të sistemit shqiptar të drejtësisë.
Precedenti i vendosur lidhet me pretencën, ku kërkohet më shumë vite burg për biznesmenin që ka përfituar koncesionin, se sa për zyrtarin që e ka dhënë këtë koncesion.
A mund të ndodhë, që një biznesmen që s’ka asgjë në dorë përveçse ambicies për të zgjeruar aktivitetin dhe fitimet e tij, edhe duke përdorur metoda të jashtëligjshme, të akuzohet dhe të kërkohet që të dënohet më shumë se zyrtari që ka firmosur dhe vulosur koncesionin?
Të gjesh raste të ngjashme në sistemet qeverisëse demokratike është e pamundur. Në Shqipëri jo dhe e gjitha kjo falë SPAK-ut, që në pretencën për inceneratorin e Fierit kërkon 12 vite burg për Klodian Zoton, që rezulton pronar i inceneratorit të Fierit.
Kërkesa është katër herë më shumë se sa pretenca e dhënë për anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave që dhanë koncesionin dhe më e lartë se gjithë zyrtarët e tjerë të akuzuar në këtë çështje, përfshirë këtu edhe Lefter Kokën, për të cilin SPAK ka kërkuar 10 vite burg.
Këto janë çuditë e SPAK, që në këtë dosje s’janë të parat. Më herët, prokurorët e posaçëm kërkuan klasifikimin si zyrtar shtetëror të Arben Dervishajt, në një kohë që ai nuk ka mbajtur asnjë post të tillë, por në rastin e inceneratorit të Fierit është kontraktuar nga kompania private e koncesionit.
Alogjikën e SPAK me këtë klasifikim u korrigjua nga gjykata e posaçme, që e rikualifikoi akuzën ndaj Arben Dervishajt, jo si zyrtar shtetëror. Tashmë mbetet sërish në dorë të gjykatës nëse do të marrë për bazë logjikën e prokurorisë së posaçme me pretencat e dhëna, apo do të ndërhyjë edhe këtu për të korrigjuar anomalin e goditjes të biznesit taksapagues se sa të zyrtarëve që janë taksa-konsumues.