Porositi dhunimin dhe vrasjen e ish-gruas, SPAK dërgon në gjyq ish-avokatin Alban Bengasi dhe grupin kriminal!

9 February 2024, 12:49Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Porositi dhunimin dhe vrasjen e ish-gruas, SPAK dërgon në gjyq
Alban Bengasi/ Blerta Bengasi

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim çështjen e ish-avokatit, Alban Bengasi, i cili akuzohet se porositi dhunimin e ish-bashkëshortes së tij, Blerta Bengasi. Madje më pas kishte kërkuar që ajo të eliminohej edhe fizikisht.

Alban Bengasi akuzohet për veprat penale “Dhuna në familje”, në dëm të shtetases Blerta Bengasi (Ruçi), kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Sipas dosjes së SPAK, rasti i referohet ngjarjes së ndodhur më 30 janar 2020 kur rreth orës 11:15 të paradites, në Rrugën “Mihal Grameno”, Tiranë, “në momentin kur shtetasja Blerta Bengasi (Ruçi), ka hyrë në automjetin e saj me targë AA 282 DI, është dhunuar nga një  person, i cili e ka goditur shumë herë me grushte në pjesën e fytyrës dhe mbrapa koke, duke i shkaktuar dëmtime në pjesën e hundës,  dhe të gojës tek dhëmbët. Më pas, e dëmtuara Blerta Ruçi, ka njoftuar policinë lidhur me ngjarjen e ndodhur”.

Nisur nga hetimet e kryera nga  Prokuroria e Posaçme, bënë të mundur identifikimin e personave që kanë bashkëpunuar për dhunën e ushtruar ndaj shtetases Blerta Ruçi, si dhe rolin e secilit person të përfshirë.

“Konkretisht, i pandehuri Alban Bengasi (ish bashkëshorti  i të dëmtuarës Blerta Ruçi), për shkak të konflikteve familjare, ka qënë porositësi i aktit të dhunës, i bashkëhetuari Festim Qoli, është personi që ja ka ofruar si “punë”, të pandehurit Nuredin Dumani, dhe më pas ka mundësuar takimin ndërmjet të pandehurve Alban Bengasi dhe Nuredin Dumani. I pandehuri Nuredin Dumani, është  personi që ka kryer ndjekjen e shtetases Blerta Bengasi, për të mësuar intinerarin e lëvizjeve dhe përditshmërinë e saj, dhe i bashkëhetuari Eljo Bitri është  ekzekutori, personi i cili ka goditur shtetasen Blerta Bengasi, ditën e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Gjithashtu SPAK shpjegon se nga hetimet është evidentuar përfshirja në krim edhe e një personi tjetër, shok i të bashkëhetuarit Elio Bitri, i paidentifikuar deri më tani, i cili shfaqet në rolin e ndihmësit pasi  ka qenë drejtuesi i mjetit me të cilin është larguar i bashkëhetuari Eljo Bitri nga vendi i ngjarjes.

“Këta shtetas kanë bashkëvepruar në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke e shtrirë në kohë dhe vende aktivitetin e ndjekjes së të dëmtuarës nga vepra penale, si dhe duke pasur një ndarje të qartë rolesh në kryerjen e veprës penale”, thuhet më tej në njoftimin e SPAK.


Video