Marseli, një i ri i cili prej 10 vitesh është i varur nga heroina, tregoi për emisionin “Real People” në Euronews Albania, se këtë lëndë narkotike e provoi për herë të parë në moshën 19-vjeçare.
Ai tregoi se gjatë kësaj periudhe, ka shpenzuar çdo ditë 20 mijë lekë për të blerë këtë lëndë narkotike.
Ndër të tjera, Marseli u shpreh se prej 5 muajsh nuk konsumon heroinë dhe nuk do që ta bëjë më diçka të tillë.
“Po llogarite, sikur 20 mijë lekë në ditë, e kam blerë unë atë. I thonë 600 mijë në muaj. Çfarë të bësh? Mendja, kjo është shoqëria e keqe. Pse thonë shokun duhet ta zgjedhësh më mirë se vetja sot? Shoqëria më ka çuar në këtë situatë. Po të mos pija heroinën, në radhë të parë do isha me familjen time, me fëmijët e mi, me gruan time.
Do kisha një mjet, do kisha një patentë. Unë kur e kujtoj, edhe kur shoh shokët e mi me overdozë me heroinë, më rrëqethet mishi, nuk ka shans ta provoj më, unë e kam lënë”, theksoi ai.
Ai u shpreh se droga ia shkatërroi familjen, madje ishte më i dashuruar pas heroinës, se pas familjarëve të tij.
I riu, i dërgoi edhe një mesazh gruas dhe fëmijëve të tij, duke u thënë se i do shumë dhe se po ndryshon.
“Droga mua më shkatërroi familjen. E kam nisur që 19 vjeç, tani jam 31 vjeç. Kam kaluar edhe overdozë, kur e kam tepruar. Isha dashuruar mbas asaj droge, nuk ishte i dashuruar pas familjes sime.
Ndoshta ia transmetoj këtë lajm fëmijëve të mi, ish-bashkëshortes sime që unë nuk jam më i asaj rruge. I dua shumë, i përqafoj shumë, nuk i harroj sa të jetë jeta ime. Jam babai i tyre, janë fëmijët e mi, më dhimbsen shumë. Unë dua të bashkohem prapë me familjen time”, theksoi ai.