Pas akuzave të Kryemadhit, reagon fort Koncesionari i Landfillit: Shpifje dhe sajesa për gjobëvënie, do e kallëzojmë në Prokurori

10 November 2022, 15:46Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pas akuzave të Kryemadhit, reagon fort Koncesionari i Landfillit: Shpifje
Landfilli i Sharrës

Koncesionari i Landfillit të Sharrës në Tiranë e ka konsideruar shpifje deklaratën e deputetes së LSI-së, Monika Kryemadhi se 19 kompani të reja janë paguar me një vlerë rreth 2 miliardë lekë nga Klodian Zoto të cilat kanë kryer evazion fisal. 

Përmes një reagimi për mediat, kompania koncesionare e Landfillit të Sharrës deklaron se "IEBV" nuk ka furnitorë asnjë nga subjektet e përmendura nga Kryemadhi dhe për rrjedhojë nuk ka asnjë shkëmbim tregtar me asnjë prej tyre.

Në reagimin e saj shton më tej se asnjë shpifje dhe baltosje e qëllimshme, nuk mbulon investimin dhe punën e Shoqerisë Koncesionare IEBV, të cilat sipas saj, faturat dhe çdo shkëmbim tregtar është tërësisht i aksesueshëm pranë institucioneve financiare shtetërore.

Kompania koncesionare paralajmëron se do të kallëzojë penalisht çdo zyrtar që ka dëmtuar reputacionin e shoqërisë së saj dhe e ka shantazhuar, nëpërmjet akuzave të pabazuara dhe të stisura qëllimisht për benefit politik.

Reagimi i plotë:

Reagim mbi shantazhin dhe akuzat fiktive dhe të qëllimshme të deputetes Monika Kryemadhi.

Kemi parë me shqetësim muajt e fundit disa sulme të paprecedenta dhe akuza të pabazuara nga disa politikanë, ndaj koncesionarit të përpunimit të mbetjeve në Tiranë, IEBV SPV.

Konkretisht në disa dalje publike, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Monika Kryemadhi, ka deklaruar se koncesionari Integrated Energy BV SPV (IEBV), i cili ndërton dhe menaxhon Zonën e Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë është përfshirë në një skemë mashtrimi me fatura fiktive me disa kompani të tjera.

Në interes të publikut sqarojmë se:

IEBV, nuk ka furnitorë asnjë nga subjektet e përmendura nga Znj. Kryemadhi. Për rrjedhojë nuk ka asnjë shkëmbim tregtar me asnjë prej tyre. Kompanitë që përmend Znj. Kryemadhi nuk janë bashkëpunëtore në veprimtaritë tona.

Asnjë shpifje dhe baltosje e qëllimshme, nuk mbulon investimin dhe punën e Shoqerisë Koncesionare IEBV. Faturat dhe çdo shkëmbim tregtar është tërësisht i aksesueshëm pranë institucioneve financiare shtetërore.

Prej disa muajsh, opinioni publik është bombarduar me shpifje, hamendësime për qëllime politike, apo dhe qëllime të tjera. Ne nuk kemi reaguar pasi kemi pritur që drejtësia dhe institucionet e shtetit shqiptar të reagojnë përballë këtij shantazhi dhe represioni politik, që ka qëllime vetëm për gjobëvënie.

Shoqëria Koncesionare IEBV, i bën thirrje organeve ligjzbatuese dhe kryesisht SPAK, që të verifikojë këto shpifje dhe sulme të qëllimshme të Partisë së Lirisë, si dhe të marrë masa për ndaljen e tyre.

Ju bëjmë me dije, se në vijim, shoqëria koncesionare do të kallëzojë penalisht çdo zyrtar që ka dëmtuar reputacionin e shoqërisë tonë dhe ka shantazhuar, nëpërmjet akuzave të pabazuara dhe të stisura qëllimisht për benefit politik.


Video