Nuk ishte aksidentale, 25-vjeçari lezhjan tentoi të vras ish-burrin e motrës duke e përplasur me makinë (Emri)

22 Shtator 2023, 15:39Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Nuk ishte aksidentale, 25-vjeçari lezhjan tentoi të vras ish-burrin

U raportua si aksident rrugor, por policia ka arritur të zbardhë ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në aksin Lezhë-Shënkoll, ku u përplas një makinë me një motor.

Nga hetimet rezulton se 25-vjeçari Antonio Uldedaj nga Lezha ka përplasur disa herë me makinën e tij ish-kunatin 32-vjeçar që ishte duke lëvizur me motor.

Ngjarja thotë policia ka ndodhur për shkak të konflikteve të martesës mes motrës së tij dhe ish-burrit. Sakaq, 25-vjeçari është shpallur në kërkim.

Njoftimi i policisë:

Zbardhet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme, e raportuar fillimisht si aksident rrugor, në Shëngjin, ku një automjet përplasi një motomjet.

Tentoi të vriste ish-bashkëshortin e motrës së tij, për shkak të konflikteve për zgjidhjen e martesës, duke i goditur disa herë, me automjet, motomjetin, shpallet në kërkim 25-vjeçari.

Sekuestrohen automjeti dhe motomjeti që u përfshinë në këtë rast.

Paraditen e djeshme, Policia është njoftuar se kishte ndodhur një aksident rrugor në aksin “Lezhë-Shëngjin, në vendin e quajtur "Kthesa e Knallës", ku një automjet kishte përplasur një motomjet dhe drejtuesi i automjetit ishte larguar nga vendi i aksidentit. Specialistët e Policisë Rrugore kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, kanë kryer hetime të thelluara për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje që u raportua fillimisht si aksident.

Nga hetimet e deritanishme u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi A. U., 25 vjeç, banues në Lezhë, pasi rezultoi se ka përplasur qëllimisht, disa herë, me automjet, motomjetin me drejtues ish-bashkëshortin e motrës së tij, shtetasin M. P., 32 vjeç, banues në Ishull-Shëngjin, për shkak të konflikteve për zgjidhjen e martesës.

Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe motomjeti që u përfshinë në këtë rast.

Vijon puna intensive për kapjen e 25-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë.


Vox Pop

Video