Janë zbardhur detaje të reja nga vrasja e ndodhur të hënën në mbrëmje në zonën e Agios Panteleimonas, ku viktimë mbeti 47-vjeçari shqiptar Artur Bashimi.
Sipas medieve greke, momenti i ekzekutimit është regjistruar nga një kamerë sigurie pranë vendit të ngjarjes.
Pamjet tregojnë autorin e veshur me rroba të errëta, kaskë, xhup motoçiklete dhe doreza, duke u kujdesur të mos lërë gjurmë.
Ai iu afrua viktimës dhe e qëlloi një herë në gjoks.
Më pas, tentoi të qëllonte sërish, por arma u bllokua.
Në vendin e ngjarjes u gjetën një gëzhojë e përdorur dhe një fishek i paqëlluar.
Hetuesit grekë theksojnë se ekzekutuesi ka vepruar me një plan të mirorganizuar dhe vendosmëri, duke zgjedhur kohën dhe vendin e duhur, çka sugjeron se krimi ishte një mesazh i qartë.
Identiteti i autorit mbetet ende i panjohur, ndërsa policia po analizon videon kornizë pas kornize për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e tij.
Artur Bashimi rezulton person me precedentë të shumtë penalë.
Sipas Protothema, në vitin 2022 ai ishte arrestuar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, e cila grabiste pasagjerët në transportin publik.
Dyshimet janë se vrasja e Bashimit lidhet me të shkuarën e tij kriminale.