Ditën e diel do të mbahet seanca në gjykatën e Elbasanit për dhënien e masave të sigurisë për të arrestuarit në kuadër të operacionit “Never Forget”.
Prokuroria Elbasanit do kërkojë masën e arrestit me burg për të gjithë të ndaluarit. Prokuror do të jetë Kreshnik Ajazi, i cili është marrë me zbërthimin e të penduarit të drejtësisë Artan Tafani, ndërsa gjyqtare do të jetë Megi Strakosha.
Të paktën 6 vrasje mafioze janë zbardhur nga rrëfimi i të penduarit të drejtësisë Artan Tafani.
Tre muaj pasi kreu grabitjen në një pikë “Exchange” në Tiranë, 39-vjeçari Marjus alias Artan Tafani u kap në shtëpinë e tij në qytetin e Lushnjes pasi ishte mbajtur nën vëzhgim nga policia.
Gjatë kësaj kohe, ai i kishte shpëtuar arrestimit duke përdorur një kartë identiteti greke të falsifikuar.
Tafani bashkëpunoi me drejtësinë duke zbuluar 6 vrasje të kryera nga banda e Laert Haxhisë, rivali i Aldo Bares i cili ndodhet i arrestuar në Greqi.
15 urdhër arreste u lëshuan nga Prokuroria e Elbasanit dhe 7 janë ekzekutuar deri tani nga policia në kuadër të operacionit të koduar “Kurrë mos harro”.