Për pak më shumë se një orë u zhvillua këtë të premte seanca gjyqësore në Gjykatën Administrative lidhur me padinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndaj prokurorit të posaçëm Ols Dado. Më konkretisht, për pavlefshmërinë e dekretit të vitit 2008 të presidentit të Republikës së asaj kohe (Bamir Topi), për emërimin e prokurorit Dado.
Në sallë nuk ishte i pranishëm Dado, por avokati i tij, Erarbër Madhi. Ndryshe nga gjyqi që u zhvillua në GJKKO, te kjo seancë ishte prezent Erion Veliaj dhe avokati i tij, Plarent Ndreca.
Presidenca përfaqësohej nga Sara Bërdullima, ndërsa përfaqësuese e KLP-së ishte Danja Hobdari. Ndërkohë, mungoi avokatura e shtetit. Pati një sërë diskutimesh në këtë seancë përgatitore për palët, megjithatë ajo e radhës është caktuar më 8 maj, ora 14:00.
Gjykata ka kërkuar që padia të rregullohet, duke dhënë afat 20 ditë. Në të kundërt, çështja do të pushohet.
Në një prononcim për gazetarët, avokati Ndreca thotë se “padia nuk ka mangësi”, duke theksuar se janë shkelur rëndë të drejtat e kryebashkiakut. “Nuk janë plotësuar kriteret për arrestimin e tij”, tha ai.
Ai argumentoi se pyetja kryesore drejtuar gjykatës është: A është prokuror Ols Dado apo jo?
Detaje nga diskutimet në sallë
Avokati Ndreca kërkoi që gjykata të konstatojë pavlefshmërinë e dekretit të presidentit të vitit 2008 për mandatin e prokurorit Olsi Dado, duke theksuar se nuk ka probleme kompetence ose juridiksionale, por që akti ka pasoja direkte mbi kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Ai argumentoi se Dado nuk plotësonte kriteret ligjore për të qenë prokuror, pasi nuk kishte përvojën e kërkuar si magjistrat, pedagog ose këshilltar ligjor, dhe për këtë arsye gjykata është kompetente për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje. Ndreca theksoi se pavlefshmëria absolute e aktit mund të kërkohet nga çdo institucion, duke shtuar se nëse Dado nuk do të kishte qenë prokuror i Republikës, arrestimi i kryetarit të bashkisë nuk do të kishte ndodhur.
Gjykata ngriti pyetje mbi lidhjen mes interesave të palëve dhe aktit administrativ, ndërsa Presidenca dorëzoi praktika të arkivuara, të cilat do të shqyrtohen së bashku me argumentet e palëve në gjykatë.
“Unë nuk jam këtu për hakmarrje, as për dramën e familjes time dhe për atë që i ka shkaktuar ai familjes sime. Jam këtu për të treguar çfarë i ka shkaktuar kjo Bashkisë së Tiranës. Kur shoh njerëz që nuk kanë mbaruar magjistraturën dhe arrestojnë qytetarë. Jam i vetmi njeri që jam arrestuar nga dikush që nuk ekziston. Nesti Angoni nuk ekziston“, mësohet se ka deklaruar kryebashkiaku Veliaj.
“Unë jam kallëzuar për inceneratorët, dje fitova gjyqin për shpifje, me italianin. Kam frikë se e gjitha kjo është një intrigë. Kë ka dëmtuar Erion Veliaj në punën e vet? Ajo që më ngacmoi të bëja këtë padi, është i vetmi rast që afati 2 javor për të regjistruar një procedim nuk është regjistruar pas 7 muajsh, kur afati është 15 ditor. Kërcitën shumë gjëra në këtë proces.
Kjo s’ka lidhje me SPAK-un apo me reformën në drejtësi. 7 muaj regjistrim procedimi dhe me pas 1 vit tjetër regjistrimi i emrit tim. Më është bërë një vetting i jetës sime. Më është hetuar jeta…“, ka shtuar ai.
Veliaj: Më është kërkuar disa herë të ndërhyj për lejen e tij (Ols Dados) tek Rruga e Kavajës, i kam thënë që ti mor njeri nuk e ke me mua e ke me KKT-në, më kanë ardhur edhe drejtoreshat e bashkisë më kanë thënë që ky njeri nuk është jurist. Ky më ka marrë me telefonin e shtetit dhe kërkonte leje për hallet e veta. Vënia e njerëzve në detyra kur nuk plotëson kriteret, jo vetëm tek unë, por tek bashkia e Tiranës. Sot nuk firmos më tek bashkia e Tiranës. Sot, plehrat janë sheshit, ditën që jam arrestuar kam inauguruar një kopësht në Kashar, janë 14 muaj që s’është hapur një kopësht. Nuk firmos më njëri!
Përfaqësuesja ligjore e Presidencës: Ajo çfarë më bën përshtypje është se avokati (Ndreca) i referohet një neni të ligjit, 87/37, por në atë kohë propozimet bëheshin nga prokurori i përgjithshëm, vlerësimi kandidaturave bëhej nga Këshilli i Prokurorisë dhe presidenti është hallka e fundit. Në arkivën tonë, ka vetëm një dekret, nuk ka një relacion…
Veliaj: Ju po thoni që në këtë propozim nuk ka një relacion në lidhje me këtë çështje.
Presidenca: Me kaq dokumentacion në këtë kohë nuk do të ishte dekretuar, por në atë kohë ne nuk e dimë si ka qenë ligji.
Avokati i Ols Dados: Gjykata nuk duhet të pranojë padinë, pasi pala paditëse nuk ka interes të ligjshëm për të kundërshtuar një akt individual. Ky akt nuk ka prodhuar asnjë efekt për paditësin e as për Bashkinë Tiranë, pasi në atë çështje ishte edhe një tjetër prokuror.
Veliaj: Ju po më thoni që në këtë emërim nuk ka asnjë gjë, veç një letre?
Presidenca: Ne në arkivë nuk kemi një relacion të arsyetuar.
Veliaj: Nëse këta thonë do emërojnë prokuror gomarin e Babatasit, ju do nxirrnit dekret?
(Ndërhyn gjykata: Jo këto terma)
Veliaj: E kam folklorike…
Togat e zeza: Duhet të rregulloni padinë, në të kundërt brenda 20 ditëve vendoset pushimi i padisë. Gjykata konstaton se ka elemente të ndërgjyqësisë, e vendosni ju nëse duhet ta thirrni KLP-në si palë e paditur, por jo si palë e tretë.
Përfaqësuesja e KLP-së, si palë e tretë: Gjykata nuk duhet të pranojë padinë, pasi nuk kanë interes të ligjshëm.