Në limitet e kohës, avokatët e Berishës ende nuk e kanë dorëzuar kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Gjoka

29 December 2023, 16:32Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Në limitet e kohës, avokatët e Berishës ende nuk e kanë
Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj

Avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha nuk e kanë dorëzuar ende kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, mesa duket në një tentativë për të shfrytëzuar çdo limit kohor që parashikon rregullorja.

Më herët, prej tyre u konfirmua se kërkesa do të dorëzohej ditën e sotme, por deri në orën 16:00, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, siç edhe konfirmon GJKKO.

"Në vijim të interesit të shfaqur nga gazetarët Ju bëjmë me dije se deri në orën 16.00, në sekretarin e gjykatës nuk është paraqitur kërkesë me shkrim e avokateve të shtetasit Sali Berisha për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka", thuhet në njoftimin e gjykatës.

Seanca e radhës për ashpërsimin e masës ndaj Berishës është vendosur të mbahet ditën e nesërme në orën 12:00. SPAK ka kërkuar ndryshimin e masës nga "detyrim parqitje" në "arrest në shtëpi" për ish-kryeministrin.

Por avokatët kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, me pretendimin se ka konflikt pasi është shkarkuar nga Berisha në vitin 1996.

Sipas dokumenteve të bëra publike, rezultoi se Berisha e kishte emëruar sërish Gjokën pas 6 muajsh.


Video