Ndihmës Sekretari amerikan Robinson takon kreun e SPAK: T’i japim fund pandëshkueshmërisë

19 March 2024, 11:53Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ndihmës Sekretari amerikan Robinson takon kreun e SPAK: T’i japim
Todd D. Robinson dhe Altin Dumani

SHBA është e qartë, do të vijojë të mbështesë Shqipërinë për reformën në drejtësi. Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u theksua edhe njëherë nga vizita në Tiranë e Ndihmës Sekretarit për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson.

Zyrtari i lartë amerikan zhvilloi një takim në SPAK me Altin Dumanin, ku ambasada e SHBA zbardhi edhe diskutimet dhe mesazhet e Robinson, i cili ka nënvizuar rëndësinë e një drejtësie të pavarur dhe fundin e pandëshkueshmërisë.

“Robinson falënderoi partnerët tanë shqiptarë për guximin dhe përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit, transparencën dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë. Ai nënvizoi rëndësinë e një drejtësie të pavarur për Shqipërinë pasi ajo lufton krimin dhe korrupsionin”, shkruan ambasada.

Veç takimit me Dumanin, një pritje është zhvilluar për Robinson, ku morën pjesë edhe përfaqësues nga politika, si ministri i Drejtësisë Ulsi Manja e Klotilda Bushka, apo deputetet e opozitës, Jorida Tabaku dhe Dhurata Çupi.

Në fjalën e tij, Robinson tha se SHBA do jetë krah Shqipërisë në këtë rrugëtim që ka nisur për reformën në drejtësi, ndërsa inkurajoi përfaqësuesit e drejtësisë të mos dorëzohen përballë këtij rrugëtimi të vështirë.

“Sot shqiptarët po bëjnë hapa të guximshëm për të nisur reforma të vështira. Unë që të gjithë të dini, se unë dhe kolegët e mi në Uashington e njohim punën tuaj të palodhur. Por si çdo punë tjetër e vështirë për forcimin e demokracisë dhe rritjen e llogaridhënies, është një rrugë e vështirë dhe e gjatë. Dhe unë do t’iu nxisja, e para të dini se po sillni ndryshim, e dyta të mos dorëzoheni, të vazhdoni.

Ne do të mbështetmi te ju si partnerë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor. Por më e rëndësishmja, qytetarët e zakonshëm shqiptarë besojnë te ju. Dhe unë mund t’iu premtoj se teksa ju vazhdoni punën tuaj qeveria e SHBA do jetë partneri juaj dhe do ecë krah jush, në mbështetjen tuaj dhe të Shqipërisë”, tha Robinson.

Robinson pritet që të zhvillojë edhe një takim me kryeministrin Edi Rama. Ai do të vizitojë më pas Kosovën në datat 20-22 mars, ku do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani.


Video