Ndahet nga jeta në moshën 76-vjeçare, Flora Brovina

15 September 2026, 11:43Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ndahet nga jeta në moshën 76-vjeçare, Flora Brovina
Flora Brovina

Ka ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë.

Brovina, e cila për vite me radhë ka qenë pjesë e skenës politike në vend, ka lënë pas një veprimtari të gjatë në shërbim të Kosovës.

Ajo ishte pediatre, poete dhe veprimtare e të drejtave të njeriut, ndërsa njihej për punën e saj në mbrojtje të grave dhe fëmijëve në Kosovë.

Gjatë luftës në Kosovë, Brovina luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e ndihmës për civilët dhe personat e prekur nga dhuna. Në Prishtinë, ajo themeloi dhe udhëhoqi Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, e cila u ofronte mbështetje mjekësore dhe psikologjike viktimave të dhunës seksuale dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Në vitin 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s, autoritetet serbe e arrestuan dhe e dënuan me 12 vjet burg për “aktivitet terrorist”. Pas ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar dhe tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, ajo u lirua më 1 nëntor 2000.

Flora Brovina u bë pjesë e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike në Kosovë (PDK) në qershor 2002, ndërsa në tetor 2006 u zgjodh në kryesinë e kësaj partie. Ajo u rizgjodh deputete e Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme të viteve 2004, 2007 dhe 2010.

Pas përfundimit të luftës, Brovina vijoi veprimtarinë e saj politike dhe shoqërore. Ajo ishte zgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës në vitin 2001 dhe mbeti aktive në promovimin e të drejtave të grave e fëmijëve, si edhe në proceset e shtetndërtimit në Kosovë.


Video