Miku i tij preu damarët për të shpërqendruar policët, Arbër Çekajt i shtohet një tjetër dënim me burg

19 August 2022, 13:27Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Miku i tij preu damarët për të shpërqendruar policët,
Arbër Çekaj

Gjykata e Tiranës ka dhënë një dënim të ri me burg këtë të premte për Arbër Çekajn, biznesmenin e dënuar me 14 vite heqje lirie nga Gjykata e Posaçme për trafikimin e 613 kg kokaine kolumbiane në Shqipëri.

Arbër Çekaj është shpallur i fajshëm për tentativën e arratisjes nga burgu 313 në kryeqytet në gusht të vitit të kaluar. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij është ulur në 1 vit.

Në të njëjtën dosje, gjykata ka dënuar përfundimisht me 2 vjet burg Lulëzim Çepelen, po i burgosur në 313 kur ndodhi tentativa e arratisë. Ai u fajësua për “dhënie ndihme një të burgosuri për largim”. Sipas gjykatës, Çepele ditën e ngjarjes ka prerë damarët për të krijuar shpërqendrim tek punonjësit e sigurisë.

Çekaj tentoi të arratisej bashkë me Fatmir Pjetrin, i cili gjykohet i veçuar. Në 8 gusht 2021 ata dolën nga zgara e zonës së ajrimit e më pas duke përdorur një litar të prodhuar me çarçafë zbritën në hapësirën para portës së burgut, por nuk munden të dilnin nga rrethimi.


Video