Gjykata e Vlorës e ka ndryshuar akuzën për efektivin e Delta Forcë, Lisjan Myrtaj, duke sjellë edhe lirimin e tij. Efektivi i njësisë Delta u arrestua më 30 prill pas përplasjeve me armë zjarri në qytetin e Vlorës, fatmirësisht pa pasoja në njerëz.
Gjyqtari i çështjes, Enkel Peza, ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” ndaj Myrtajt përkundër kërkesës së prokurorit, Albert Kuliçaj, i cili ka deklaruar se ndaj efektivit kishin nisur hetimet për “Vrasje me dashje të mbetur në tentativë”, duke kërkuar kësisoj masën “Arrest me burg”.
Si ndodhi ngarja:
Pas arrestimit të tij, ia ka treguar edhe dinamikën e ngjarjes, duke theksuar se ka qëlluar për vetëmbrojtje duke iu përgjigjur plumbave të Juxhin Todi (Aliajt). Në seancën e djeshme, efektivi ka pranuar akuzat, duke theksuar se ka qenë ai që ka lajmëruar forcat e Policisë për atë që kishte ndodhur. Ai ka theksuar se ka qëlluar për vetëmbrojtje dhe se nuk ka pasur si qëllim për ta vrarë. Jo zyrtarisht u tha se sherri kishte nisur për një femër.
Në vendin e ngjarjes ndërkohë është gjetur edhe një gëzhojë e pa plasur dhe që i përkasin një arme tjetër pistoletë dhe jo të asaj që zotëronte efektivi. I riu, Juxhin alias Todi Aliaj, është ende në kërkim nga Policia.
“Më tha, hajde pak tek makina dhe më nxori armën. Makina ishte parkuar në një cep pallati për t’iu fshehur kamerave. Kur u afrova, më nxori pistoletën që e mbushi dhe filloi të më shajë. Në momentin që pistoleta u shkrep, u bllokua apo shkrehu nuk kuptova mirë, nxora armën për vetëmbrojtje. Qëllova nga pjesa e poshtme, brenda rregullave si uniformë policie. Juxhini po tentonte të qëllonte kur po largohej me vrap, qëllova dhe unë disa herë. Nuk u largova nga vendi i ngjarjes, prita patrullat e policisë që të më merrnin dëshminë. Ju shpjegova ngjarjen dhe rrugën nga u largua Juxhin”, ka deklaruar më herët efektivi.
Njoftimi i policisë:
“Rreth orës 18:55, në lagjen ‘10 Korriku’, pas një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se punonjësi i Policisë, Inspektor Lisjan Myrtaj, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë (armën personale të punës) ndaj shtetasit Juxhin Todi (Aliaj), i cili ka qenë duke drejtuar mjetin tip ‘Benz’. Nga të shtënat nuk ka pasur të dëmtuar, ndërsa shtetasi Juxhin Todi është larguar nga vendngjarja duke braktisur mjetin”, sqaronte Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Vlorë.
Në vendin e ngjarjes u sekuestrua një pistoletë, 7 gëzhoja, 3 fishekë, si dhe mjeti tip “Benz Mercedez”.