Personat që shihni në fotot e mësipërme janë dy viktimat babë e bir Liri dhe Kenado Shira, si dhe autori i krimit të sotëm në Klos, Fiqiri Mjeshtri, i cili pas ngjarjes u gjet nga Policia dyshohet i vetëvrarë.
Përmes një komunikate për mediat, Policia bën me dije se ka arrestuar dy vëllezërit e autorit Besnik dhe Fatmir Mjeshtri. Të plagosur kanë mbetur babë e bir Eglant dhe Renado Hasula, të cilët dyshohet se kishin konflikt me familjen Mjeshtri.
Burime bëjnë me dije se i mituri Renato Hasula, ishte i lidhur me vajzën e autorit Fiqiri Mjeshtri, por ky i fundit nuk ishte dakord me këtë lidhje.
Ata kishin lënë takim në lokal për t'u sqaruar. Fiqiri Mjeshtri ishte i shoqëruar nga dy vëllezërit Besnik dhe Fatmir Mjeshtri, ndërsa 17-vjeçari ishte me babanë e tij, Eglant Hasula. Sherri degradoi ne përdorimin e armeve ku Fiqiri Mjeshtri qëlloi mbi babë e bir duke i lënë të plagosur dhe vrau aksidenatlisht dhe babë e bir Kenado dhe Ilir Shira, të cilët ndodheshin rastësisht në vendngjarje. Pas ngjarjes, autori Fiqiri Mjeshtri, personi që shihni në fotot e mëposhtme, ka vrarë veten.
Njoftimi i Policisë:
Në qytetin e Klosit, dyshohet se shtetasi F. M., 39 vjeç, në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin K. Sh., 17 vjeç, si dhe kanë plagosur shtetasit I. Sh., 46 vjeç (babai i 17-vjeçarit), R. H., 14 vjeç dhe E. H., 39 vjeç (babë e bir).
Të tre të plagosurit janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi I. Sh. ka humbur jetën në spital.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë rrethuar zonën, kanë bllokuar hyrje-daljet e qytetit të Klosit dhe kanë ushtruar kontrolle në banesa, lokale dhe në ambiente të tjera.
Gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kapën dhe shoqëruan në ambientet e Policisë, shtetasin F. M., 44 vjeç dhe vëllanë e tij, shtetasin B. M., bashkëpunëtorë në këtë ngjarje.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të pajetë, dyshohet të vetëvrarë, autorin kryesor të kësaj ngjarjeje, shtetasin F. M., 39 vjeç.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, vijon punën për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.