Legalizimi i kanabisit, ekspertët për VOA: Dyshime për sigurinë e procesit

7 April 2022, 21:38Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Legalizimi i kanabisit, ekspertët për VOA: Dyshime për

Në Tiranë, autoritetet pohuan se do të legalizojnë kanabisin për përdorim mjekësor, si dhe kultivimin e tij për të rritur ekonominë. Kryeministri Edi Rama i bëri këto komente sot gjatë publikimit të rezultateve të Këshillimit Kombëtar, një anketim masiv i popullatës. Ekspertë të pavarur u shprehën skeptikë mbi sigurinë e këtij procesi, ndërsa Shqipëria njihet si vend burimi i narkotikëve dhe vitin e kaluar regjistroi shifra në rritje të kultivimit të marihuanës

Shqipëria pritet të lejojë shumë shpejt kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të cannabis sativa për arsye mjekësore, pa legalizuar përdorimin vetjak. Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama në përfundim të Këshillimit të parë Kombëtar, një anketim masiv që qeveria ndërmori për 3 muaj përmes postës dhe internetit.

Mbi 60 për qind të qytetarëve të anketuar vullnetarisht dhe anonim janë shprehur pozitivisht për pyetjen e qeverisë, kundrejt 30 për qind që janë shprehur negativisht. Kryeministri Rama tha para mediave sot se kjo do të bëhet shumë shpejt.

“Do të legalizojmë absolutisht kanabisin për përdorim mjekësor dhe do të hapim një front të ri pune dhe rritjeje ekonomike, përveçse edhe rritje në aspektin teknologjik. S’ka dilemë për këtë. Atë çfarë kanë thënë qytetarët, ajo do të bëhet. Nuk diskutohet” – deklaroi zoti Rama.

Ndonëse mbetet ende e paqartë se si do të realizohet, dilemat lidhen me mundësinë e kontrollit të autoriteteve mbi këtë proces. Shqipëria vijon të konsiderohet një vend burimi i kanabisit.

Pavarësisht përpjekjeve për të luftuar këtë veprimtari kriminale, edhe vitin e kaluar kultivimi i marijuanës regjistroi shifra në rritje. Sipas të dhënave të Guardia di Finanza-s italiane, gjatë vrojtimit nga ajri, ishin identifikuar mbi 37 hektarë të dyshuar se janë përdorur për të kultivuar cannabis sativa, sipërfaqja më e madhe që pas vitit 2016.

Vëzhgues të pavarur shprehen skeptikë për këtë nismë të qeverisë, duke përmendur mungesat e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, zbatimit dhe mbizotërimit të ligjit Eksperti i çështjeve të sigurisë, Arjan Dyrmishi, thotë se Qeveria dhe shumica socialiste kanë 2-3 vjet që e diskutojnë këtë temë. E reja këtu është mënyra e veçantë e legjitimimit të kësaj nisme përmes një anketimi apo Këshillimi Kombëtar, duke marrë pëlqimin e publikut.

Pikëpyetjet nuk janë të natyrës ekonomike, të tregut dhe kërkesës, por çështja ka të bëjë me sigurinë e procesit, se si do të garantohet që pjesa e ligjshme të mos përzihet me pjesën e paligjshme, modalitetet si do të ndahen këto dy pjesë, dhe më tej, prodhimi, magazinimi dhe transporti sa do të jenë të sigurta. Një gjykim i saktë mund të jepet atëherë kur qeveria të publikojë projektin e parë zyrtar të nismës së saj, për të parë si është menduar që kjo mundësi ekonomike të mos shndërrohet në të kundërt në një problem sigurie, sepse ekonomia dhe siguria janë të lidhura ngushtë, por deri është një proces me shumë të panjohura.

“Janë aktorë si krimi i organizuar, problemi që ky legalizim shkakton tek korrupsioni etj. Ne nuk e dimë ende cilat janë vlerat, cilët janë treguesit ekonomikë, që synon qeveria të realizojë përmes kësaj: Cili është numri i vendeve të punës? Sipërfaqet që do të dedikohen? Ka një seri politikash që duhen harmonizuar. Për shkak të luftës në Ukrainë po diskutohet që sipërfaqet e tokës të mbillen me grurë, për të harmonizuar autosuficencën e furnizimit me ushqime, apo duhet që këto sipërfaqe t’i favorizojmë për të mbjellë cannabis, i cili do na sjellë disa të ardhura më shumë dhe me këto para në dorë ne do të blejmë drithë. Mungojnë shumë të dhëna dhe së pari mungon drafti i qeverisë” – thotë zoti Dyrmishi./Marrë me shkurtime nga VOA


Video