Me mbi 300 km/h/ Shoqërohet në polici Aleks Visha, gjobitet me 1 mln lekë dhe i bllokohet "Lamborghini" (VIDEO)

17 March 2023, 19:51Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Me mbi 300 km/h/ Shoqërohet në polici Aleks Visha, gjobitet me 1 mln
Aleks Visha dhe Kleviol Ahmeti

Policia Rrugore e Tiranës ka reaguar në lidhje me videon që bëri xhiron e rrjetit ku personazhi i njohur i rrjeteve sociale Aleks Visha drejtonte automjetin e tij tip "Lamborghini" me mbi 300 km/h tek tuneli i rrugës së Kombit në Kukës, teksa bashkë me të ndodhej dhe reperi Kleviol Ahmeti (Cllevio Serbiano).

Blutë e rrugores bëjnë me dije se Aleks Visha është shoqëruar në komisariat dhe është gjobitur me 100 000 lekë të reja (1 milionë lekë të vjetra) dhe i është bllokuar mjeti. Siç duket nuk ka heqje patente për Vishën, pavarësisht shepjtësisë "skëterrë".

Njoftimi:

Qarkulloi me shpejtësi 305km/h, në tunelin e Kalimashit, Policia Rrugore e Tiranës identifikon dhe bllokon automjetin "Lamborghini".

Shoqërohet në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, drejtuesi i automjetit, shtetasi A. V.

Pas publikimit në rrjetet sociale, të një videoje në të cilën shfaqej një automjet që qarkullonte me shpejtësi 305 km/h, Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar punën për identifikimin e automjetit dhe të drejtuesit të tij. Në bazë të pamjeve filmike të siguruara, është identifikuar dhe ndaluar automjeti tip "Lamborghini" me drejtues shtetasin A. V., të cilin e Policia e ka shoqëruar në Komisariat.

Ndaj drejtuesit të automjetit u mor masë administrative 100 000 lekë të rinj.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për drejtuesit e automjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe apelon gjithashtu për ndalimin e publikimeve që kanë karakter joedukativ për sigurinë rrugore.


Video