Vdes në Kenia 22-vjeçarja që u dhunua barbarisht në Tiranë

13 February 2023, 09:28Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Vdes në Kenia 22-vjeçarja që u dhunua barbarisht në

Joy Ayoko, 22-vjeçarja nga Kenia e cila u dhunua barbarisht në Tiranë ka ndërruar jetë. E reja larguar nga Shqipëria drejt vendlindjes më 25 janar, teksa la Spitalin e Traumës për t’u larguar për mjekim në spitalin Kenyatta, por aty ka ndërruar jetë.

Që prej 14 gushtit të vitit 2022 vajza nga Kenia ndodhej e shtruar në spital pasi u dhunua brutalisht dhe u hodh nga kati i dytë i banesës ku jetonte në rrugën "Pandeli Evangjeli" në Tiranë.

Që atëherë keniania ishte në gjendje kritike dhe kishte nevojë për kujdes të specializuar neurologjik, i cili nuk ishte i disponueshëm në Shqipëri. Por siç duket e reja, nuk ka arritur që t'u mbijetojë plagëve të marra.

Rasti i dhunimit të 22-vjeçares solli në Tiranë edhe përfaqësues të ambasadës keniane në Itali. Ata diskutuan me nënën e Joy, mjekët që kujdesen për të renë në spital dhe më pas u takuan me efektivët e policisë që po hetojnë ngjarjen, të cilët i kanë çuar në banesën ku ndodhi dhunimi brutal i 22-vjeçares.

Deri më tani, askush nuk është arrestuar në lidhje me rastin, por policia pretendoi se ata janë në ndjekje të autorëve, megjithëse raportet e mëparshme kundërshtonin atë që policia i tha familjes, e cila tregoi se Joy Aoko u përpoq të bënte vetëvrasje duke u hedhur kati i dytë i pallatit të saj.

22-vjeçarja keniane prej 14 gushtit ndodhej në koma e shtruar në spitalin e Traumës me brinjë e kocka të thyera, lëndime në dorë e stomak dhe dëmtime në tru. Dyshohet se 22 vjeçarja është hedhur nga ballkoni i dhomës së pallatit ku qëndronte, dhe denoncimin në polici e bëri nga një prej shoqeve.

Nëna e vajzës keniane, që jetonte në Tiranë me disa shoqe të saj, u njoftua nga kompania e kazinosë që vajza e saj kishte përfunduar në spital. Sipas saj vajza u kishte treguar shoqeve se përndiqej nga një shofer taksie i cili vazhdimisht i kërkonte të krijonin raporte intime.


Video