Rastet e vjedhjeve në qytetet turistike në bregdet janë shtuar së tepërmi gjatë ditëve të fundit. Duket se hajdutët po shfrytëzojnë këto ditë të nxehta vere turistët vendas dhe të huaj në qytetet bregdetare si Vlora, Saranda dhe Himara.
Një grua ka rënë viktimë e vjedhjes në shëtitoren e Himarës, nga një 41-vjeçar i vënë tashmë në prangat e policisë. Më herët gjatë ditës, një hajdut u kap duke vjedhur para nga disa banesa në Sarandë.
Vjedhjet më të shpeshta regjistrohen buzë detit, kur hajdutët ruajnë plazhistët teksa lahen për t’u vjedhur sendet personale, por edhe kur ata lënë banesat vetëm për të kaluar disa orë në plazh.
Gjithashtu, vjedhje të shumta janë raportuar në rrjetet sociale në hollet e hoteleve apo në baret dhe restorantet buzë detit.
Njoftimi i policisë Himarë:
Prani e shtuar e shërbimeve në terren, për të parandaluar, për të konstatuar menjëherë dhe për të goditur paligjshmëritë.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Pocket”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes së pronës dhe pasurisë.
I vodhi një shtetaseje, në shëtitoren e qytetit të Himarës, kuletën me para dhe bizhuteritë e floririt, kapet dhe vihet në pranga 41-vjeçari me precedent të mëparshëm për vepra të ndryshme penale.
Policia sekuestron shumën e parave dhe bizhuteritë e vjedhura.
I arrestuari, autor i dyshuar i një vjedhjeje tjetër të kryer më 23 qershor, në një banesë në Himarë.
Si rezultat i patrullimit të pandërprerë në terren, veprimeve të shpejta hetimore dhe bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, për të parandaluar dhe goditur veprimtaritë kriminale gjatë sezonit turistik, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pocket”, në kuadër të të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi F. M., 41 vjeç, banues në Fier.
41-vjeçari, me precedent të mëparshëm për dhunë në familje dhe kalim të paligjshëm të kufirit, u kap menjëherë pasi i kishte vjedhur një shtetaseje, në shëtitoren e qytetit të Himarës, kuletën me para dhe bizhuteritë e floririt, me vlerë totale rreth 60 000 lekë.
Sendet e vjedhura u sekuestruan nga Policia, në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet hetimore rezultoi se 41-vjeçari është gjithashtu autor i dyshuar i vjedhjes së 3 celularëve, në banesën e një shtetaseje, vjedhje e kryer më datë 26 qershor 2023, në Himarë.
Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.