“Kemi hedhur themelet e inceneratorit të Tiranës”, administratori i ‘Integrated Energy’ rrëzon akuzat e Kryemadhit

8 April 2023, 19:44Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Kemi hedhur themelet e inceneratorit të Tiranës”,
Herman Daniel Vermulen

Administratori i shoqërisë koncesionare Integrated Energy, Herman Daniel Vermulen, në një intervistë për MCN ka rrëzuar të gjitha akuzat e deputetes Monika Kryemadhi, duke i cilësuar ato false dhe politike, ndërsa iu bëri edhe politikanëve që akuzojnë se mund të shkojnë t’i vizitojnë për ta parë nga afër punët që bëhet. Administratori i shoqërisë koncesionare Integrated Energy ka theksuar më tej se nuk ka negociuar kurrë në Rumani për blerjen e një inceneratori. Ai ka theksuar se tashmë janë hedhur edhe themelet e ndërtimit të inceneratorit të Tiranës.

Ditët e fundit deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka vijuar me denoncimet për inceneratorin e Tiranës duke publikuar fakte dhe pamje filmike me dron. Akuza e saj është se inceneratori vjedh çdo ditë 100 mijë euro në ditë pasi nuk kryen shërbimet sipas kontratës, por vetëm diferencon mbetjet dhe i gropos, cili është komenti juaj për këtë?

Shumë mirë që na vizitoni sepse na jepni mundësinë për të deklaruar se kjo akuzë është false, nuk e di nga niset ajo për këto pretendime. Në çdo rast ne nuk jemi të lidhur me një parti politike, pra nuk ka asnjë sens. Ne jemi këtu për të bërë vetëm një punë dhe kjo punë është menaxhimi i zonës së menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve. Me këtë rast unë dua t'u them këtyre politikanëve dhe jo vetëm të vijnë njëherë këtu të na vizitojnë, të caktojnë një takim dhe unë do u tregoj se çfarë realisht bëjmë këtu, sepse më çfarë po kuptoj deri tani atyre u duket si mister. Sigurisht që akuza është false, akuza e prodhuar politikisht. Ne nuk jemi për politikë këtu. Kemi vetëm një punë, të menaxhojmë zonën ku trajtohen mbetjet në Tiranë dhe të përmbushim detyrimet sipas kontratës.

Edhe ju vetë në reagimin tuaj deklaroni se togfjalëshi inceneratori i Tiranës është i qëllimshëm, pasi nuk quhet i tillë, por atëherë pse paguajnë 29 euro për ton qytetarët e kryeqytetit? Çfarë procesesh kryeni ju këtu? A mund të na e thoni?

Atëherë 29 euro për ton është përllogaritur baza për proceset këtu, të cilat janë menaxhimi, kontruktimi dhe sigurisht këtu përfshihet edhe kthimi i investimeve. Për proceset që kompania jonë është kontraktuar këtu momentalisht ne kemi infrastrukturën, kemi objektin për rikuperimin e materialit, impiantin për trajtimin e ujërave, landfillin dhe pa dyshim edhe inceneratorin e Tiranës që po vjen dhe do ta kemi gjithashtu.

Ju deklaroni se nuk keni negociuar kurrë në Rumani për blerjen e një inceneratori, por a mund të na thoni se sot ku ndodhet inceneratori juaj? Nëse nuk keni mundësi të na e tregoni cili është projekti, ku do të ndërtohet ai?

S'kemi bërë asnjë lloj negociate për të marrë një incenerator në Rumani, nuk e di nga vijnë këto akuza, madje hera e parë që dëgjoj për diçka të tillë. Inceneratorët mund të montohen dhe konstruktohen në Itali dhe vende të tjera europiane dhe pasi të kenë përfunduar mund të sillen këtu në zonën e menaxhimit të mbetjeve.

Ju si shoqëri koncesionare sqaroni se keni investuar 32 milionë euro në landfillin e Sharrës, ndërkohë sipas pagesave të cilat janë publike edhe në Thesarin e shtetit, keni marrë nga bashkitë Tiranë, Durrës, Kavajë e Vorë mbi 5 miliardë lekë përkthyer në 46 milionë euro, ku shkojnë 14 milionë euro të tjera, për të cilat ju dilni fitim shto dhe tarifat e dherave që paguajnë ndërtuesit, të cilat zbrazen me kamionë ditë për ditë këtu?

32 milionë euro janë gjithçka ka investuar deri më sot kjo kompani, mos harroni po flasim për një periudhë 5-vjeçare dhe siç u përgjigja në një nga pyetjet e mësipërme, ne kemi ndërtuar infrastrukturën këtu, pra 32 milionë euro për të ndërruar gjithçka shihni këtu, zonën e menaxhimit të mbetjeve në Tiranë. Kjo përfshin objektin e rikuperimit të materialeve. Dua të theksoj se këtu përfshihet inceneratori i cili do të ndërtohet patjetër, madje ne kemi nisur tashmë të hedhim themelet e tij, po ashtu janë përdorur këto para për të përshtatur dhe optimizuar të gjitha proceset. Mbetjet po vijnë, ne po i trajtojmë mbetjet po i diferencojmë e po i klasifikojmë dhe dua të jem shumë i qartë, mbetjet nuk mund të diferencohen, atëherë për një kohë shkojnë në landfill. Me pak fjalë kur të përfundojë inceneratori, mbetjet që nuk mund të diferencohen do të shkojnë te inceneratori dhe do të prodhojnë energji për qytetin.


Video