Protestuesit mundin Kastratin, hapet rruga në Rinas, tashmë lëvizet me dy sense

5 May 2022, 10:32Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Protestuesit mundin Kastratin, hapet  rruga në Rinas, tashmë

Pas protestave të banorëve të zonës që zgjatën për disa ditë, Rruga e Rinasit do të kthehet në gjendjen e mëparshme.

Lajmin e bën të ditur Autoriteti Rrugor Shqiptar me anë të një njoftimi.

Në njoftim thuhet se qarkullimi do të vijojë tashmë me dy sense lëvizjeje deri në zgjidhjen përfundimtare të situatës. ARRSH u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që vijnë nga veriu që të përdorin akse alternative në mënyrë që të mos rëndohet trafiku që të çon drejt Aeroportit.

Hapja e rrugës së Rinasit, është pritur me duartrokitje nga banorët të cilët u ngritën në protestë për të katërtën ditë me radhë.

Vendimi i shndërrimit në një rrugë njëkalimshme të Rinasit ishte i dyshimtë, pasi jo vetëm nuk është një vendim i studiuar mirë, por është vënë në shërbim të koncesionarit të aeroportit, pra Shefqet Kastratit.

ARRSH e argumentoi vendimin duke thënë se ai do të shmangte trafikun, por sipas banorëve të zonës dhe dëshmive të taksistëve të kontaktuar nga VoxNEWS, trafiku në këtë rrethrrotullim buron nga fakti që rrethi është shumë i vogël e i ngushtë dhe nga keqmenaxhimi i parkingut dhe jo nga rruga. 

Vendimi në fjalë ishte kryekëput në shërbim të Kastratit, i cili do të kishte të njëjtin fluks udhëtarësh, ndërsa problemet me parkingun e koncesionarit do të mbuloheshin në kurriz të fshatarëve të zonës.

Por fatmirësisht, këtë herë e drejta e fshatarëve të zonës fitoi mbi dëshirën e një oligarku. 

Njoftimi i ARRSH

Kthehet në gjendjen e mëparshme Rruga e Rinasit, qarkullimi do të vijojë me dy sense lëvizjeje deri në një zgjidhje përfundimtare me qëllim lehtësimin e trafikut në segmentin Qafë Kashar-Rrethrrotullimi i Rinasit-Ahmetaq.

Apel ynë për të gjithë drejtuesit e mjeteve që vijnë nga veriu të përdorin akset alternative për të mos rënduar trafikun në rrugën që të çon drejt aeroportit të Rinasit.

Udhëtarë/turistët që marrin fluturimet të marrin në konsideratë fluksin e lartë të mjeteve në këtë aks duke përllogaritur orarin e nisjes.

 

 


Video