Plot 31 mijë euro të padeklaruara janë gjetur në një autobus që mbërriti nga Italia në Vlorë.
Policia thotë se paratë e padeklaruara ishin fshehur nën njërën prej ulëseve në katër pako. Dy drejtuesit e autobusit janë arrestuar tashmë.
Njoftimi i Policisë:
Sekuestrohen 31 805 euro të padeklaruara. Procedohen penalisht 2 shtetas, drejtues të automjetit ku u gjetën 4 pakot me euro.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë ushtruar kontroll në autobusin e një agjencie udhëtimi. Në pjesën fundore të një sediljeje, u gjetën dhe u sekuestruan 31 805 euro, të ndara në 4 pako të mbështjella me letër celofani.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për 2 drejtuesit e autobusit, shtetasit B. K., 46 vjeç dhe S. V., 29 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Automjeti dhe shuma e parave u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.