
Një incident i rëndë ka ndodhur me avionin e Wizz Air të linjës Vjenë-Tiranë.
Nga dëshmia e një pasagjeri për Voxnews.al, disa minuta pas ngritjes në ajër, avioni ka pësuar një defekt të rëndë.
Sipas tij, rreth 10 minuta pas avioni është ngritur në fluturim nga aeroporti i Vjenës është dëgjuar një shpërthim. Më pas, avioni ka fluturuar për rreth 30-40 minuta në kuotë të ulët dhe ënjtë kthyer në aeroport.
E gjithë avaria është shoqëruar me panik dhe frikë nga udhëtarët të cilët nisën luten për jetën e tyre.
“Dëgjuam një shpërthim të fortë pasi ishim ngritur. Më pas avioni kishte probleme të rënda në fluturim. Pilotët u përpoqën shumë për të shmangur një aksident tragjik. Madje ata janë heronj pasi falë atyre ne mundëm të mbijetojmë. Qëndruam për 40 minuta në ajër dhe nga momenti në moment mund të përplaseshim. Ende nuk e dimë çfarë ndodhi, por piloti, falë tij e përsëris, ne mundemi të jemi gjallë. Ai arriti ta ulë avionin dhe ne shpëtuam të gjithë”, tregon njëri nga udhëtarët për voxnews.
Piloti iu ka thënë pasagjerëve se incidenti erdhi pasi një tufë zogjsh janë përplasur me motorin e avionit, por sipas pasagjerëve nga zhurma e bërë nuk dukej se ishte ky shkaku i incidentit.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar për ngjarjen nga kompania, ndërsa pasagjerët e linjës Vjenë-Tiranë kanë shpëtuar pa lëndime.