I riu Saimir Sula u soll pa zemër në Shqipëri, nga Tirana nisen dy letërporosi, ende asnjë masë nga drejtësia spanjolle

20 January 2023, 22:30Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
I riu Saimir Sula u soll pa zemër në Shqipëri, nga Tirana nisen
Motra e të ndjerit Saimir Sula

Pak ditë më parë emisioni “Stop” udhëtoi drejt Barcelonës në Spanjë, për të hedhur dritë mbi vdekjen misterioze të të riut Saimir Sula. Ai humbi jetën në Spitalin Del Mar në Barcelonë. Në 8 Maj 2020 Saimiri shkoi në spital për një test Covidi, pasi ishte me temperaturë. Testi rezultoi negativ. Majlinda, motra e tij, priste që Saimiri të dilte nga spitali, por pas një telefonate me të, nuk e pa më të gjallë vëllain.

Spitali konfirmoi vdekjen e 31-vjeçarit rreth mesditës së 9 Majit 2020. Fillimisht nga spitali u tha, që Saimir Sula është axhituar dhe gjatë momentit të neutralizimit nga rojet e spitalit, i ka pushuar zemra. Por pamjet tregojnë se Saimiri kishte shenja dhune në trup. Instituti i Mjekësisë Ligjore në Barcelonë nuk ka një konkluzion të saktë për shkaqet e vdekjes.

Çështja u referua në Gjykatë në Barcelonë, por ngjarja nuk u zbardh sërish. Trupi i Saimir Sulës erdhi pas 3 javësh në Shqipëri. Familjarët kërkuan bërjen e një tjetër autopsie. Mjekët konstatuan mungesën e zemrës në trupin e pajetë të 31-vjeçarit. Shteti shqiptar regjistroi veprën penale për trafikim të organeve.

Prokurorja Suela Salavaci shpjegon se janë dërguar 2 letra porosie në Spanjë për të bërë AND-në e zemrës, që autoritetet spanjolle pretendojnë se e kanë në Spanjë. Shteti shqiptar ka bërë shumë pak për zbardhjen e ngjarjes makabre.

Në një tjetër ngjarje të ngjashme, zyrtarët e ambasadës së Kenias në Romë, erdhën në Tiranë dhe morën kontakt me autoritetet shqiptare, për rastin e një të reje keniane, që u gjet e masakruar dhe e hedhur nga apartamenti ku banonte në kryeqytetin shqiptar.

Asnjë zyrtar shqiptar nuk ka shkuar në Spanjë ku i riu Sula humbi jetën në mënyrë misterioze në një spital të Barcelonës ku shkoi për një temperaturë të lehtë. Madje askush nuk e ngriti zërin kur trupi i të ndjerit mbërriti në Shqipëri me zemër të shkulur. Autoritetet spanjolle dhe ato shqiptare nuk kanë dhënë asnjë konkluzion të ngjarjes makabre


Video