Atentati i Don Boskos/ Flet pronari i servisit ku "ushtari" i Vis Martinajt grabiti targën gjermane: E mori në oborr, më tregoi siriani

10 June 2023, 13:55Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Atentati i Don Boskos/ Flet pronari i servisit ku "ushtari" i Vis
Gazmend Jakupi dhe Nikoll Sherrniku

Pronari i servisit në Gjermani, ku u grabit targa "RE HX 112", e përdorur tek mjeti "BMW X5" i autorëve të atentatit të Don Boskos më 12 Mars, është shqiptari nga Kosova, Gazmend Jakupi.

Targa u vodh nga 28-vjeçari Nikoll Sherrniku, nga Fushë Kuqe e Kurbinit, i njohur si anëtar i grupit të Ervis Martinajt. Shënjestër e atentatit ishin familjarët e Fatjon Muratit, teksa mbeti e vrarë aksidentalisht banakierja e lokalit, Mimoza Paja.

Gazmend Jakupi ka rrëfyer detajet e vizitës së Sherrnikut në servisin e tij në Gjermani për të blerë një makinës. Në një bisedë telefonike me Report Tv Jakupi tregon se njeriu i Ervis Martinajt është parë nga njëri prej punëtorëve të tij nga Siria, i cili e kishte vërejtur duke vjedhur diçka, që më vonë rezultoi se ishin targa që u përdorën për të vrarë në Tiranë.

“Ai ka ardhur për të blerë makinë në servis dhe i ka vjedhur targat në oborrin tonë. Ne targat që dalin nga përdorimi i mbledhim në një vend dhe më pas i shesim për hekura për t’u shkrirë dhe me paratë e tyre hamë mëngjes ose drekë me punëtorët. Nikoll Sherrniku ka ardhur një ditë me një shok të tij në 2020-ën, nuk e di se nga ka qenë ai tjetri, dhe unë nuk kam pasur makinë për të shitur në atë kohë. Brenda i ka parë targat në një qoshe ku ne i grumbullojmë dhe një punëtor i imi i Sirisë e ka vërejtur. Unë nuk kam qenë aty, por më vonë më ka treguar punëtori sirian që ka punuar për mua 3 vite, se diçka ka marrë, me shumë mundësi targa, dhe në fakt kështu rezultoi”, deklaron Jakupi.

Sherrniku, i cili mori targat që t’ia sillte Ervis Martinajt në Tiranë nuk ka qëndruar më shumë se 20 minuta në servisin e Jakupit.

“Sherrniku ka ardhur vetëm një herë, unë edhe nëse e shoh nuk e njoh. Në bazë të asaj çfarë ka treguar punëtori, dy ose tre targa ka vjedhur, nuk jam i sigurt për më shumë. Ka qëndruar 15 deri në 20 minuta në servisin tim”, vijon Jakupi.

Gazmend Jakupi nuk ka asnjë njohje me Nikoll Sherrnikun, ai nuk e ka takuar asnjëherë vetë personalisht.

“Unë nuk e njoh atë, nuk i kam pasur as numër telefoni, këtu tek servisi im vijnë shumë njerëz. Policia e Shqipërisë na ka gjetur në bazë të targave, ajo që është përdorur në krim ka qenë në emër të një punëtori tonë. Sistemi në Gjermani është sipas rregullave dhe targa të tilla i hedhim pasi dalin nga përdorimi, por pothuajse të gjithë serviset e makinave në Gjermani i përdorin për t’i shitur për një mëngjes me punëtorët”, vijon më tej pronari i servisit.

Vetëm tani kur ngjarja ka ndodhur dhe prodhoi një viktimë e 6 të tjerë të plagosur, Gazmend Jakupi e kupton se sa e rrezikshme është të mbahen targat që dalin nga përdorimi, të cilat keqpërdoren nga të tjerë. I keqardhur për ngjarjen e rëndë, Jakupi thotë se tashmë është më i kujdesshëm.

“Unë po ta kisha parë vetë duke i marrë targat do ia kisha marrë nga dora, pasi tani po kuptoj se sa e rëndësishme është dhe ato qenkan keqpërdorur në Shqipëri. Më vjen shumë keq për ata që janë plagosur dhe humbur jetën në Tiranë. Prej kohës që jam informuar për rastin nga Policia e Shqipërisë jam më i kujdesshëm, targa të tilla i mbaj të fshehura”, përfundon Gazmend Jakupi.

Kush është Nikoll Sherrniku?

Nikoll Sherrniku u arrestua më 17 Gushtin e vitit të kaluar, pasi sipas Policisë, po tentonte të kryente një atentat. Ai u kap në automjetin e blindur tip “Toyota” të parkuar në afërsi të një pallati në Kune të Shëngjinit, bashkë me drejtuesen e mjetit 34-vjeçarja, Flutura Berisha dhe një i mitur 15 vjeç. Policia iu sekuestroi një automatik me fishekë në fole gati për qitje, dy krehëra me fishekë, 2 radio marrëse – dhënëse si të Policisë, si dhe automjeti i blinduar me të cilin lëviznin këta shtetas.

Por, ditën kur u arrestua, Nikoll Sherrniku theu dhe masën "arrest shtëpie" pasi akuzohej për një tjetër krim. Ai ndoedhej nën atë masë sigurie në lidhje me implikimin e tij në ngjarjen e ndodhur në dhjetor 2021, ku mbeti i vrarë me armë zjarri ish-punonjësi i Policisë, shtetasi Xhuliano Prela, ku akuzohet për veprën penale "Krijimi i kushteve për të kryer vrasje". Për vrasjen e këtij të fundit është akuzuar dhe Brilant Martinaj, i cili kishte fituar lirinë, para se të vritej tek masakra e mbikalimit të Fushë Krujës.

Nikoll Sherrniku njihet si anëtar i grupit të Ervis Martinajt dhe shok i ngushtë i nipit të vrarë të këtij të fundit, Brilant Martinajt.


Video