I dënuar për vrasjen e dyfishtë në Shqipëri, Engjëll Brahimi fiton lirinë me kusht në Kanada

19 May 2023, 21:20Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
I dënuar për vrasjen e dyfishtë në Shqipëri,
Ëngjëll Brahimi

Teksa ndodhet në pritje të një urdhri ekstradimi drejt Shqipërisë, gjykata e Montrealit ka liruar me kusht 60-vjeçarin Engjëll Brahimi, i dënuar për vrasjen e një oficeri policie dhe djalit të tij 8 vjeçar 23 vite më parë në Fier.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë François Dadour ra dakord me kërkesën e avokatëve Andreë Barbacki, Jordan Trevick dhe Sara Malik që përfaqësonin Engjëll Brahimin në çështjen e ekstradimit.

Dadour vendosi një sërë kushtesh që Brahimi duhet të zbatojë. Përveç kushteve standarde të lirimit me kusht - që ai të ruajë qetësinë, të respektojë një shtetrrethim dhe të paraqitet në datat e ardhshme të gjyqit - një palë e tretë ra dakord të bënte një depozitë prej 20,000 dollarësh për të mbështetur kërkesën e Brahimit për lirim me kusht. Brahimi dhe gruaja e tij gjithashtu ranë dakord të vendosnin një obligacion prej 100,000 dollarësh në pronën që zotëronin.

Gjykatësi vendosi gjithashtu një kusht jashtëzakonisht të rreptë që kërkon që Brahimi të raportojë tek autoritetet çdo ditë jave, ndërkohë që ai është i lirë me kusht. Normalisht, një personi të cilit i është dhënë lirimi me kusht në një çështje penale kërkohet të paraqitet në një stacion policie një herë në javë ose një herë në muaj. Çështja do të kthehet në gjykatë më 26 qershor.

Brahimi erdhi në Kanada si refugjat në vitin 2005 me emrin Piro Kota dhe mori nënshtetësinë kanadeze në vitin 2012, sipas një deklarate të dorëzuar në gjykatë.

Ai akuzohet për vrasjen e oficerit të policisë, Astrit Braçe dhe djalin e tij 8- vjeçar, në një pritë me armë zjarri më 10 gusht 2000 në Fier. 

E gjithë vrasja dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje. Kjo sepse në vitin 1997, vëllai i Ëngjëll Brahimit, Iliriani, u vra në një shkëmbim zjarri me policinë, pasi dikush kishte hapur zjarr ndaj një ambulance. Braçe ishte një nga policët e pranishëm në momentin e vrasjes së vëllait të Brahimit. Në 1999 ndaj Braçes u organizua një atentat, por rezultoi i dështuar. Ëngjëll Brahimi ishte i dyshuari kryesor, por ndaj tij nuk kishte prova të mjaftueshme për ta akuzuar.

Më 10 gusht 2000, Braçe me bashkëshorten, me djalin e tyre Asllanin, vajzën, mbesën dhe nipin po shkonin në plazh. Të gjithë po udhëtonin në mjetin Mercedes-Benz dhe kur po ktheheshin, makina është goditur me armë zjarri në fshatin Poro-Pishë ku humbi jetën efektivi dhe djali i tij 8 vjeçar. Brahimi dyshohet se ka dalë nga një Audi dhe ka hapur zjarr në drejtim të Mercedes-Benz. Referuar asaj që shkruan mediat kanadeze, oficeri i policisë ka arritur të dalë nga makina dhe është nisur drejt një lumit Vjosë. Ndërkohë, gruaja e Braçes ka arritur ta shohë autorin dhe i ka bërtitur “kriminel më vrave djalin”. Në këtë momente, autori nuk i është përgjigjur, por ka hipur në automjetin e tij dhe është larguar për të ndjekur oficerin. Gruaja e Braçes tha se më vonë dëgjoi të shtëna. Trupi i të shoqit u gjet të nesërmen në buzë të lumit Vjosa.

Sipas dokumenteve të depozituara në kërkesën për ekstradim, u konfirmua se Piro Kota ishte pikërisht Ëngjell Brahimi. Në momentin e arrestimit në janar, ai konfirmoi se Ëngjëll Brahimi duke thënë se ishte në dijeni të akuzave kundër tij dhe se hyri në Shtetet e Bashkuara e më pas në Kanada me një emër të rremë, duke marrë përfundimisht mori nënshtetësinë nën këtë identitet të rremë.


Video