Sot në Elbasan është zhvilluar seanca e radhës për vrasjen e Pjerin Xhuvanit përpara zgjedhjeve parlamentare të 2021. Në seancë ishte i pranishëm edhe autori i vrasjes, Arbër Paplekaj.
Siç duket edhe nga pamjet e mëposhtme, të siguara nga "5pyetjet", fillimi i seancës ka shkaktuar pakënaqësi te ish-efektivi i RENEA-s.
Në momentin që pikas kamerat në sallë, ai çohet në këmbë brenda vendit ku mbahej “kafazi” i qelqtë, e dërgohet teksa thotë: Hejki këto (Hiqi këto), duke iu referuar kamerave.
Kujtojmë se më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, në Elbasan u vra Pjerin Xhuvani, përkrahës i Partisë Socialiste. Paplekaj ishte pjesë e një "SMV", strukture për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan nga PD.
Pas një sherri verbal pasi SMV dyshonte se Xhuvani ishte pjesë e një grupi që blinin vota, ndodhi vrasja ku mbeti i pajetë Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë.
Të plagosurit ishin Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Nga dita e arrestimit deri më sot në pranga është ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe dhëndrin e tij, Eltjon Bodinakun.
Nuk dihet ende kush qëlloi ndaj Emiljano Prengës dhe Paulo Vuksanit, të dy ish-policë. Paplekaj, një ish efektiv i RENEA u vetëdorëzua dhe pranoi krimin duke thënë se e kishte bërë goditjen pasi ishte qëlluar më parë me armë zjarri.