Hakerat publikojnë të dhënat e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe kërcënojnë: Mbase janë objektivat e radhës

9 October 2022, 21:09Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Hakerat publikojnë të dhënat e punonjësve të
Hakerat publikojnë të dhënat e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe kërcënojnë

Hakerat iranianë kanë vijuar me publikimin e të dhënave për vendin tonë. Këtë të diel ata kanë publikuar një listë të pretenduar me të dhëna të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Në kanalin e tyre në “Telegram”-it, “Homeland Justice”, aty ku kanë publikuar edhe materiale të mëparshme, kanë bërë publike sot lista të pretenduara të efektivëve të Policisë së Shtetit. Listat kanë foto, emrin, mbiemrin, atësinë, datëlindjen, vendlindja dhe ID.

Por dyshohet se listat mund të jenë të vjetra pasi disa nga personat aty janë larguar nga Policia e Shtetit kohë më parë.

Hakerat nuk janë mjaftuar me vetëm publikimin e materialeve, por bashkëngjitur kanë edhe një kërcënim. “Mbase këta këtu janë objektivat e radhës”, kanë shkruar ata bashkëngjitur materialeve.

Ky mesazh vjen pasi një ditë më parë, ata publikuan një listë me zyrtarë të pretenduar amerikanë, sipas të cilëve, ata janë vrarë nga muxhahedinët në Iran gjatë periudhës së revolucionit.

Një javë më parë, 1.7 giga byte material sensitiv u publikua nga hakerat e ashtuquajtur “Homeland Justice” në platformën e komunikimit Telegram.

Albanian Suspects apo shqiptarët e dyshuar titulloheshin listat e publikuara nga hakerat Iranian.

Bëhej fjalë për 49 lista të gjata ku pasqyrohet identiteti i personave, numri ID, mosha, vendlindja dhe foto e tyre e sistemit TIMS. Megjithatë nuk jepeshin detaje të tjera se për çfarë janë të dyshuar personat por dyshohej se materialet i përkasin sistemit MEMEX që administrohet nga Policia e Shtetit.

Policia e Shtetit mohoi që të dhënat të jenë nga sistemi MEMEX duke insistuar që nuk janë prekur apo dëmtuar të dhëna sensitive që administrohen e kanë të bëjnë me punën policore.


Video