Haga/ Krasniqi, Veseli dhe Selimi shpallen fajtorë, ja me sa vite dënohen secili

16 September 2026, 11:38Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Haga/ Krasniqi, Veseli dhe Selimi shpallen fajtorë, ja me sa vite
Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi

Gjykata në Hagë shpalli fajtor Jakup Krasniqin për disa nga akuzat për krime lufte, ndërsa e shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Ai u dënua me 25 vjet burg. Gjatë shpalljes së vendimit, trupi gjykues deklaroi se Krasniqi është fajtor për arrestim dhe ndalim të paligjshëm të 385 personave, trajtim mizor si krim lufte ndaj 49 personave, torturë si krim lufte ndaj 49 personave dhe vrasje të paligjshme të 96 personave.

Në vijim, kryesuesi i trupit gjykues i tha Krasniqit se shpallet i pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Kadri Veseli është dënuar me 18 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Trupi gjykues e shpalli Veselin fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë dënuar Rexhep Selimin me 13 vjet burgim, pasi e shpallën fajtor për krime lufte.

Trupi gjykues arriti në përfundimin se Prokuroria e Specializuar provoi përtej dyshimit të arsyeshëm përgjegjësinë penale të Selimit për një pjesë të akuzave për krime lufte.

Njëkohësisht, gjykata e shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Selimi ndodhet në paraburgim në Hagë që prej nëntorit 2020 dhe gjatë gjithë procesit është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.



Video