Garda Mbretërore e Norvegjisë, në bashkëpunim me Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, performuan dje në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. E konsideruar si një nga më të mirat në botë, performanca e tyre u ndoq nga qindra qytetarë në rrugët e kryeqytetit.
Ndërkohë gjatë ceremonisë prezantuese, në ambientet e një hoteli në Tiranë ka ndodhur një situatë e papritur. Një grua ka humbur ndjenjat pasi ka pësuar gjendje të fikëti në momentin që ceremonia vazhdonte.
Por garda norvegjeze është bërë mburojë përreth saj, teksa ajo merrte ndihmën e parë mjekësore, për të shmangur sytë kureshtarë.
Së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe ambasadorë të vendeve të huaj, i pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai theksoi se prezenca e Gardës së Norvegjisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërmjet 1000 eventeve që po zhvillohen në kuadër të Tiranës Kryeqytet Europian i Rinisë.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi e konsideroi këtë aktivitet vijimin e një raporti shumë të mirë që Shqipëria dhe Norvegjia kanë në fushën e mbrojtjes si aleatë të NATO-s.