GJKKO ka marrë ditën e sotme vendimin për të kaluar në gjykim dosje për çështjen "Gërdeci" dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu është marrë zyrtarisht i pandehur, i cili përballet me dy akuza, “Shpërdorim detyre” dhe “Shpërdorim detyre të kryer me bashkëpunim me kuadrin ushtarak komandues”.
Gjykata ka vendosur PRO kërkesës së SPAK pra do nisë gjykimi në themel në lidhje me këtë çështje. Avokatët e zotit Mediu kërkuan pushimin e çështjes dhe pasi u vunë përballë faktit të kryer për nisjen e gjykimit në themel, kërkuan gjykim të shkurtuar, kërkesë që u pranua.
Fatmir Mediu nuk është paraqitur në seancën paraprake të ditës së sotme, por u përfaqësua nga avokati i tij mbrojtës. E pranishme në seancë ishte edhe familja Durda. SPAK u përfaqësua sot me tre prokurore, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Klodian Braho.
Seanca e radës është caktuar të mbahet në datën 24 prill.
Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit nuk janë pranuar si palë në gjykim, teksa avokati Dorian Matlija, u shpreh se ky proces duhet të jetë me pjesëmarrjen e familjarëve.
"Unë nuk e konsideroj të vlefshme këtë si procedurë. Familjarët e viktimave duhet të ishin aty. Do jemi prezent edhe në seancën tjetër. Do të paraqesim kërkesat tonë. Gjykimi i shkurtuar patjetër që do të pranojë kërkesën e të pandehurit. Ky proces do të jetë me pjesëmarrjen e familjarëve. Është investuar edhe Gjykata e Evropiane për të Drejtat e Njeriut."- tha avokati Matlija.
Jashtë ambienteve të gjykatës, pas dhënies së vendimit, ka dhënë një prononcim për mediat dhe Zamira Durda, e cila humbi djalin e saj të vetëm 7 vjeç nga shpërthimi i Gërdecit. Duke qenë se familja nuk është pranuar si palë në gjykim, Durda thotë se do të vijojë betejën e saj për drejtësi.
“Duhet të shkarkohet SPAK i gjithë. Zamira do vijojë betejën, është turp”, tha Zamira Durda.