
Kryebashkiaku i Mallakastrës Qerim Ismailaj është dënuar nga GJKKO me 6 muaj burg, që konvertohet në shërbim prove.
Ai është paraqitur këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme në lidhje me hetimet mbi fshehjen e dënimit me 3 vite burg në Greqi.
Në tetor të vitit të kaluar ndaj Qerimajt u përpilua akuza për veprën penale të falsifikimit të vulave dhe formularëve.
Pas shtyrjeve te njëpasnjëshme, gjykata shpalli sot vendimin ndaj zyrtarit.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkoi 1 vit burg për kryebashkiakun e Mallakastrës, ndërsa pranoi kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar.
Hetimet ndaj kryebashkiakut të Mallakastrës filluan me një denoncim nga Partia Demokratike, ndërkohë që Prokuroria e Përgjithshme ka arritur në përfundimin se i zgjedhuri vendor ka qenë i dënuar me tre vite burg në Greqi.
Këtë fakt, sipas Prokurorisë, Ismailaj nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit dhe për këtë SPAK-u ka kërkuar dënimin e tij me 1 vit burg.
Më herët, Greqia ka konfirmuar me letërporosi procedimin penal dhe dënimin e Ismailajt, ku rezulton se ai ka pasur dijeni për procedimin ndaj tij dhe ka firmosur dokumente në palën greke.
Ndërkohë, publikisht, Ismailaj ka deklaruar se s’ka pasur dijeni dhe është proceduar në mungesë.