Festa që nuk e ndaluan dot/ Të moshuarit tregojnë si e festonin në komunizëm Kurban Bajramin

28 June 2023, 16:07Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Festa që nuk e ndaluan dot/ Të moshuarit tregojnë si e festonin
Shpresa Muça

Në ditën e Kurban Bajramit kemi ardhur për vizitë në shtëpinë e Shpresa Muçës, pensionisten 75-vjeçare, e cila do të na tregojë detaje se si festohet kjo ditë dhe se si ka ndryshuar ndër vite kjo festë.

“Në Kurban Bajram theret një bagëti dhe pjesa më e madhe falet nëpër fukarenj, por kjo nuk po ndodh më, pasi të varfrit nuk I do njeri. Familja është zvogëluar shumë, njerëzit na kanë ikur në emigrim, por është zvogëluar edhe zemra.

Më përpara këtu, mua më mblidheshin motra e vëllezër, bëheshim 20 veta. Pasi festonim nëpër shtëpitë tona, bënim vizita tek njëri-tjetri. Sot të gjitha këto na mungojnë. Kur ishim të vegjël ne mezi e prisnim Bajramin. Zgjoheshim dhe gjenim poshtë jastëkut rrobat e reja dhe dilnim e trokisnim nëpër dyert e njerëzve duke kënduar tiritam- tiritam, sot është Bajram. Sot nuk ka më. Unë për vete dal e blej karamele e çokollata dhe ua jap fëmijëve të lagjes. Sot mungon dashuria dhe ajo trokitja e njerëzve në derë që të vijën e të urojnë Gëzuar.

Në kohën e diktaturës unë në familjen time e kam festuar fshehurazi. Mos gërthisni u thosha fëmijëve. Kurban nuk kam bërë asnjëherë, sepse kurban bëjnë njerëzit që kanë. Unë nuk i kisha mundësitë, kisha 4 fëmijë. Një shprehje thotë kur shkon për të lypur tek i varfri merre thesin e madh se të jep gjithë çka, kur shkon te i pasuri merr një të vogël, pasi i kamuri nuk të jep.”– tha Shpresa Muça Bulku, pensioniste./TCH

 


Video