Mediat greke kanë publikuar foton e shqiptarit të arrestuar sot, Emiliano Jakupi, 33 vjeç.
Arrestimi i tij ka lidhje me plagosjen e 3 të rinjve nga Kreta, ngjarje për të cilën është shpallur në kërkim dhe Nardi Idrizi, 37 vjeç nga Vlora. Jakupi mësohet të ketë deklaruar: “Ishte një sherr rruge. Unë godita me pëllëmbë, nuk e prisja që tjetri të godiste me armë”.
Sipas burimeve ai shtoi se pas të shtënave u tremb dhe bashkë më shokun e tij hipën në makinë dhe u larguan. “Nuk e di ku është tjetri” tha ai për policinë.
Duke folur për “Kathimerini”, avokatja e tij Matina Markou u shpreh se klienti i saj është dorëzuar vullnetarisht.
Sipas saj 33-vjeçari mohon të jetë përfshirë në këtë episod dhe shprehet i habitur nga reagimi i shokut të tij.
Av. Markou ka shtuar se Jakupi ka pasur lidhje miqësore me Nardi Idrizin 7 muajt e fundit dhe të premten mbrëma kishin dalë së bashku, fillimisht në zonën e Vrilissit (ku u gjet edhe Fuoristrada me të cilën po udhëtonin) dhe më pas në Gazi, për t’u argëtuar.

Sipas avokates, teksa po dilnin nga një klub, makina ra në një pellg e për pasojë, viktimat e sulmit që ndodheshin në vendngjarje, u lagën.
Ata janë kundërpërgjigjur dhe ka ndodhur një sherr, gjatë të cilit autori i shpallur në kërkim ka nxjerrë armën dhe ka plagosur rëndë tre prej tyre.
Av. Markou pohon se klienti i saj nuk e dinte që i bashkëakuzuari i tij ishte i armatosur dhe përpiqet të ndajë pozicionin e tij nga ngjarja e përgjakshme.
Ajo shton gjithashtu se 33-vjeçari ka precedentë të pastër penalë dhe nuk ka asnjë lidhje me qarqet e kriminelëve, siç u raportua në 48 orët e mëparshme.
Sipas mediave greke, veç plagosjes së tre shtetasve grekë, ai ishte person i shpallur në kërkim edhe lidhur me vrasjen e 40-vjeçarit nga Delvina, Pëllumb Islami, ngjarje e ndodhur në 21 shkurt 2023 në “Nea Ionia” në Athinë.
Jakupi ka precedentë penalë për drogë, vjedhje makinash dhe vjedhje banesash. Ndërkohë kërkohej dhe për vrasjen e Pëllumb Islamit.