Policia e Shtetit njofton se ka ekstraduar drejt vendit tonë dy persona të dënuar për trafik droge.
Më konkretisht, është ekstraduar nga Holanda drejt Shqipërisë, shtetasi Zef Gjikolaj, 33 vjeç, pasi gjykata e Lezhës e ka dënuar me 7 vjet burgim, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
Po ashtu, është ekstraduar nga Greqia drejt Shqipërisë, shtetasi Ergys Rushan, 37 vjeç, banues në Korçë, të cilin Gjykata e Apelit Korçë e ka dënuar me 6 vjet burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
Uniformat blu njoftojnë edhe ekstradimin e një 40-vjeçari nga Shqipëria drejt Italisë, pasi autoritetet fqinje e kanë dënuar me 6 vite burg për trafik lëndësh narkotike. Bëhet fjalë për shtetasin Armant Beqiri, 40 vjeç, banues në Durrës.
Njoftimi:
Interpol Tirana - Vijon bashkëpunimi me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ekstradohen nga Greqia dhe nga Holanda, drejt Shqipërisë, 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ekstradohet nga Shqipëria drejt Italisë, 1 tjetër shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Të tre të ekstraduarit, të dënuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Specialistët e ZQK Interpol Tirana, në kuadër të bashkëpunimit me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, kanë ekstraduar, në hyrje dhe në dalje të RSH-së, 3 shtetas shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
-Si rezultat i bashkëpunimit me homologët holandezë u ekstradua nga Holanda drejt Shqipërisë, shtetasi në kërkim ndërkombëtar Zef Gjikolaj, 33 vjeç. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me vendimin e datës 26.05.2017, e ka dënuar këtë shtetas, me 7 vjet burgim, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", pasi në datën 11.12.2015, në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, ka tentuar të shesë 15.6 kg lëndë narkotike cannabis sativa, në Mirditë.
-Si rezultat i bashkëpunimit me homologët grekë u ekstradua nga Greqia drejt Shqipërisë, shtetasi në kërkim ndërkombëtar Ergys Rushan, 37 vjeç, banues në Korçë, të cilin Gjykata e Apelit Korçë e ka dënuar me 6 vjet burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
-Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit me homologët italianë u ekstradua nga Shqipëria drejt Italisë, shtetasi Armant Beqiri, 40 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos, Itali, e ka dënuar me 6 vjet e 10 muaj burgim, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike", parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
2 shtetasit e ekstraduar drejt Shqipërisë iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.