Duka i kërkon qeverisë hapjen e basteve sportive

14 June 2022, 15:32Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Duka i kërkon qeverisë hapjen e basteve sportive
Armando Duka

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka ka zhvilluar ditën e sotme një tryezë me përfaqësues të Ligës Profesioniste të Futbollit dhe presidentë të klubeve shqiptare me temë “Sponsorizim/Formalizim/Zhvillim. Futbolli shqiptar përballë sfidave të së ardhmes”.

Gjatë diskutimeve u kërkua sërish ndryshime në ligjin e sponsorizimeve, ku sipas tyre, mund të jetë një ndihmesë shumë e madhe për zhvillimin e futbollit.

“Ajo çka ne kemi propozuar dy vite më parë nuk është vënë në zbatim. Skema që ne kemi propozuar është një ndihmesë e madhe për ta bërë futbollin një industri që më vonë të prodhojë dhe t’i kthejë këto investime. Ligji i sponsorizimeve apo buxhetet që mund të hidhen në futboll nuk janë financime apo donacione të pakthyeshme, por janë investime që futbolli do t’i kthejë nëse vërtetë do të krijojë një industri që të prodhojë vetë”, theksoi Duka.

Gjithashtu, Presidenti i FSHF-së i propozoi publikisht qeverisë dhe parlamentit hapjen e basteve sportive dhe kalimin e një pjese të ardhurash nga ky aktivitet në mbështetje të sportit. Sipas tij, fondet që mund të gjenerohen nga ky akyivitet, i naluar tashmë në Shqipëri, mund të kthehen në një burim të rëndësishëm financimi për akademitë, klubet, por edhe infrastrukturën sportive.

“Përveç ligjit të sponsorizimit, e dyta, e thënë edhe nga organizata të tjera sportive në vend, jo vetëm nga ne, bastet sportive në Shqipëri janë ndaluar me ligj, por realisht bastet sportive janë ndaluar vetëm për të arkëtuar buxheti i shtetit, por ato ekzistojnë në çdo pikë të vendit. Kështu që të bëjmë një kërkesë qoftë për ligjin e sponsorizimeve dhe bastet sportive, parlamentit dhe qeverisë shqiptare që t’i rikthejë ato dhe 70% e të ardhurave nga ky aktivitet t’i kalojë sportit dhe një pjesë kryesore futbollit. Ky është një burim i rëndësishëm financimi për akademitë, klubet, por edhe infrastrukturën sportive. Nëse edhe ju jeni dakord, t’i drejtojmë në emër të komunitetit të futbollit një kërkesë qeverisë dhe parlamentit shqiptar për ndryshimet ligjore për ligjin e sponsorizimeve dhe basteve sportive dhe për ndonjë gjë tjetër që ju mendoni”, deklaroi Presidenti Duka.

Më tej, u kalua në diskutime teksa të gjithë drejtuesit e klubeve i miratuan propozimet e hedhura në tryezë dhe u ra dakord që të përpilohet një draft me ndryshime konkrete ligjore, ku çdokush mund të japë idetë e veta e më pas ky draft t’i dërgohet për shqyrtim qeverisë dhe parlamentit shqiptar.


Video